Tahiri nuk heq dorë nga kallëzimi për Ristanin e Spahon. Së shpejti kallëzimi në Prokurorinë e Tiranës

Lirimi i shefit të Interoplit nga Gjykata e Tiranës dhe detajet e publikuara se ai kishte informuar eprorët përmes email-it për urdhër-arrestin e kërkuar nga autoritetet belge për Mark Frrokun nuk do ta pengojnë ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri që së shpejti pritet të depozitojë në Prokurori kallëzimin penal ndaj sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani dhe nënkryetarit Edmond Spaho, të cilët e akuzuan ministrin se ka mbajtur të fshehur urdhër-arrestin e ardhur nga autoritetet belge. I pyetur nga ResPublica zëdhënësi i ministrit të Brendshëm, Florian Serjani tha se kallëzimi është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet së shpejti pranë organit të akuzës. “Përderisa e ka thënë ministri kallëzimi do bëhet dhe në dijeninë time po përgatitet për t’u çuar në prokurori. Nuk mund t’ju them momentin se kur, por së shpejti- ka theksuar Serjani. Të njëjtat akuza ndaj ministrit të Brendshëm Tahiri i ka bërë edhe ish-kryeministri Berisha përmes postimeve në facebook, por nuk dihet ende nëse ai do të përfshihet në padinë e ministrit Tahiri.
l.m
Add new comment