Të shembësh në dru një deputet dhe të dalësh i larë nga Gjykata e Lartë! Jetojmë në Tironë...

Gjykata e Lartë, me të drejtë të “Ligjit” dhe të “Zotit” e ka dhënë vendimin e saj ashtu siç i takon një institucioni të pavarur. Duke “vepruar sipas çdo rregulli” kjo Gjykatë ka pushuar çështjen ndaj dy deputetëve socialist, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu. Gjykata në fjalë shpalli pushimin e gjykimit për dy deputetët socialistë, me argumentin se Prokuroria nuk duhej të niste hetimet ndaj tyre, megjithëse këta të fundit akuzoheshin për dhunë ndaj kolegut të tyre demokrat, Gent Strazimiri. Gjykata e Lartë ka pushuar çështjen duke e hedhur tërësisht poshtë kërkesën e bërë nga Prokuroria, e cila, në një seancë të mëhershme, kishte kërkuar dënimin me një vit burg për deputetin Arben Ndokën dhe tetë muaj për deputetin Pjerin Ndreun. Vendimin për shpalljen të pafajshëm të tyre, Gjykata e Lartë e mori pas shqyrtimit të çështjes dhe konstatimit se, për rastin në fjalë, nuk ka vepër penale. Vendimi u sqarua përmes zyrës së shtypit me arsyetimin se, për veprimet që ndodhin brenda Kuvendit, është vetë ky i fundit që vendos për gjykimin dhe ndëshkimin e ligjvënësve.
Në të vërtetë dhe Ne të këtij mendimi jemi: Tek e fundit, si ka mundësi që të shembet në dru një deputet e të përbëjë vepër penale?! Se dhe në fakt si punë loje kalamajsh po duket.
Vazhdojmë më poshtë: Sipas Gjykatës së Lartë të dy deputetët kanë kërkuar falje për rastin dhe janë shprehur se, gjithçka ka ndodhur për arsye personale dhe në gjaknxehtësi e sipër... Ja dhe kjo punë u zgjidh, me kanun e falje burrash. Se nuk është puna te kamerat, rrahja ka dalë publikisht e nuk mohet dot. Por një falje e bën tjetri, e pi një kafe e një gotë raki dhe e mbyll hesapin. Tek e fundit le të anashkalohet pak ligji se nuk u bë qameti. Do pyesë ndokush: A i shkarkon rrahësit nga përgjegjësia penale, për të cilën Gjykata e Lartë shprehet se nuk ekziston??? Edhe mundet. Çdo gjë mund të ndodhë, “jetojmë në Tironë”. Po kur digjesh nga qulli i fryn edhe kosit, thotë populli. Fatmir Mediu ia hodhi një herë paq me Gjykatën e Lartë pas Gërdecit dhe me gjasë beson se ka qenë punë Shansi. Ndaj sot është druajtur t’i japë një dru të mirë deputetit të LSI-së, Robert Bitri, mu në sallë, por ka kërkuar “të dalin jashtë”. Le t’I marrë hak Erjon Braçe, se nga tipi dhe dinamika e tij politike, duket se ka shumë “hasëm” aty brenda. Le të ketë edhe Parlamenti një “karate kid” se nuk u bë qameti.
Sa për vendimin e pafajësisë për dy deputetët socialistë Ndoka e Ndreu, ata do të kthehen në sallën e Parlamentit fare të pastër, pa asnjë ngarkesë fajësie dhe të inspiruar se i kanë thyer dhëmbët një përfaqësuesi të opozitës.
Aferim.
Ndërkohë për të balancuar diçka nga e gjithë kjo ngarkesë po kujtojmë fjalët e ambasadori Lu të Shteteve të Bashkuara, të cilat i ka thënë gjatë një takimi të organizuar nga Albanian Policy Center ku merrte pjesë edhe Presidenti Nishani: “Shqiptarët e sotëm po përballen me krimin e korrupsionin nga shkolla deri në parlament”.
Aman o po çfarë do krimi deri në Parlament!? Jeni në vete.
E sa për takimin e zhvilluar me kryetaren dhe anëtarët e KQZ, ku po i njëjti diplomat, Donald Lu, deklaroi se pastrimi i politikës nga kriminelët është një proces me rëndësi të madhe për demokracinë në Shqipëri dhe për anëtarësimin e vendit në BE, besoj se i takon një debati tjetër.
Do flasim më vonë edhe për këtë...

Add new comment