Sondazhi i Fevziut për të djathtën, organizatorët: Informalisht, votuesit shprehen se e shohin Berishën si pengesë për Bashën

Postuar në 29 Maj, 2014 15:29

Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu ka porositur një sondazh mbi opozitën, ku përtej shifrave mbi vlerësimet në përqindje mbi kryetarin e PD-së Lulzim Basha apo ish-kreun e PD-së Sali Berisha, bie në sy më shumë ajo që nuk është përfshirë me përqindje në sondazh: përshtypjet që të intervistuarit kanë dhënë informalisht. Sondazhi, në studion e Fevziut, u përfaqësua nga Ridvan Peshkëpia, i cili në fillimet e pluralizimit ka qenë deputet i PD-së. Përtej vlerësimeve pozitive që dalin nga përqindjet për Bashën dhe Berishën në sondazh, Peshkëpia evidentoi faktin se një pjesë e konsiderueshme e të intervistuarve mendojnë se Basha po pengohet nga Berisha në detyrën e tij si kryetar i PD-së.

“Në mënyrë informale e kanë shprehur votuesit këtë gjë, që kryetari i partisë duhet lenë të jetë kryetar partie. Berisha shihet si pengesë për profilizimin e Bashës si kryetar i PD” tha Peshkëpia. Të njëjtin pohim dha edhe një prej personave që ka realizuar intervistat duke theksuar se për Berishën,  “pjesa më e madhe e tyre janë shprehur se koha e tij ka mbaruar duhet të ikë përfundimisht”. Gjithsesi, ky konstatim i shprehur nga votuesit mbetet vetëm në kuadrin e përshtypjeve pasi nuk përbën një të dhënë studimore me përqindje. 

E përsa i përket punës së Bashës, më shumë se 50 përqind rezulton se kanë mendim pozitiv. Sipas analistit Artan Hoxha, i pranishëm në studio, kjo përqindje e lartë për Bashën rrëzon tezën se protagonizmi i Berishës po e dëmton Bashën. Të dhënat e sondazhit kanë shkaktuar replika mes Mark Markut e Eduard Zaloshnjes me Ridvan Peshkëpinë e Artan Hoxhën, për shkak të metodologjisë dhe kampionit të përzgjedhur.

k.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.