Skandali: SHBA përgjon BE-në, gjermanët acarohen

Postuar në 01 Korrik, 2013 07:06

 

Dosja “Snouden” nuk është më një çështje thjesht kurioze. Skandali i përgjimit që shërbimi sekret NSA, i ka bërë popullatës amerikane, kapërcen Atlantikun. Sipas britanikes "The Guardian" (informacionet vijnë si gjithmonë, nga i kërkuari Eduard Snouden) janë përgjuar edhe përfaqësitë diplomatike të Francës, Italisë dhe Greqisë në Uashington dhe pranë Kombeve të Bashkuara. Si? Me aparate përgjimi dhe ndërhyrje në linjat kabllore të komunikacionit. Në fundjavë u ngritën akuza se NSA përgjon me qëllim BE-në. Sipas këtyre akuzave, në institucione të BE-së janë vendosur aparate përgjimi dhe vetëm në Gjermani çdo muaj janë përgjuar rreth gjysmë miliardë telefonata, e-maile apo SMS. Dojçe Vele njofton se komisionerja e BE-së për Drejtësinë Viviane Reding kërcënoi se mund të pezullojë negociatat për një marrëveshje tregtie të lirë mes BE-së dhe SHBA-së. Ndërsa Uashingtoni hesht ende, në radhët e politikanëve gjermanë ka plasur indinjata. Ministrja e Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger, është e para anëtare e kabinetit qeveritar që u shpreh në lidhje me akuzat: Eshtë jashtë çdo përfytyrimi që "miqtë tanë" në Uashington na shohin ne europianët si armiq. Opozita gjermane, ndërkaq, shkon edhe më larg.  Të gjelbrit i kërkojnë sqarime urgjente kancelares Merkel, ndërsa kryetari i grupit parlamentar të të gjelbërve në Bundestag, Jurgen Trittin, deklaroi se për Snouden “duhet garantuar një qëndrim i sigurt" në Europë.

 

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.