Sipas INSTAT që prej vitit 2001 popullsia e Shqipërisë vazhdon të mbetet nën 3 milion, flukset dalëse tejkalojnë flukset hyrëse

Që prej vitit 2001 popullsia e Shqipërisë vazhdon të mbetet nën 3 milion, megjithatë, ritmi i rënies së saj ka qenë më i lartë përgjatë viteve 2001- 2010, ndërkohë që pas vitit 2010 ritmi i rënies së popullsisë është zvogëluar. Kjo u bë e ditur në raportin e publikuar të premten nga Instituti i Statistikave, INSTAT, “Shqipëria në shifra 2014″. Kjo rënie e popullsisë, sipas INSTAT-it, i dedikohet më së shumti migracionit neto, i cili vazhdon të mbetet negativ, pra flukset dalëse tejkalojnë flukset hyrëse. “Megjithatë, migracioni neto, pikërisht diferenca ndërmjet imigrantëve dhe emigrantëve gjatë një viti ka pësuar një tkurrje pas vitit 2009, ardhur si pasojë e rritjes së numrit të të kthyerve, duke mundësuar në këtë mënyrë një rritje të migracionit neto”, thuhet në raportin e INSTAT-it. Nga ana tjetër, përsa i përket kontributit të komponentit të dytë, shtesës natyrore, diferencës ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve, sipas INSTAT-it, vihet re një ulje e numrit të lindjeve ndërkohë që numri i vdekjeve ka mbetur në nivele të njëjta, duke sjellë në këtë mënyrë një reduktim të saj gjatë viteve 2001-2014, por vazhdon të mbetet pozitive.
Add new comment