Shqipëria sipas FMN vs Shqipëria sipas qeverisë së Shqipërisë

Nadeen Ilahi është kreu i një misioni të Fondit Monetar në Shqipëri, i cili sot, në përfundim të dy javëve bisedime me autoritete shqiptare, - tha se rritja ekonomike për 2012 do të jetë në 0,5 përqind (dhe 1,3 përqind në 2013). Shifra është tejet larg shifrës së deklaruar nga ministri shqiptar i Financave Ridvan Bode. Nuk është hera e parë që parashikimet e Fondit janë disa herë më pesimiste se ato të autoriteteve shqiptare. Më poshtë, një përballje e deklarimeve të përfaqësuesit të FMN dhe përfaqësuesit të qeverisë së Tiranës.
Nadeen Ilahi:
“Vazhdimi i krizës në eurozonë dhe paqëndrueshmëria po provokon goditje të tjera që po i transmetohen edhe Shqipërisë dhe rritja ekonomike po ngadalësohet. Kjo i dedikohet së pari lidhjes së ngushtë tregtare me Italinë e Greqinë dy nga vendet më të prekura. Ne vlerësojmë se rritja ekonomike këtë vit do jetë 0,5 përqind ndërsa vitin e ardhshëm 2013 do të jetë në 1,3 përqind”,
Ridvan Bode:
"Rritja ekonomike, siç kemi shpallur prej disa muajsh, nuk do të jetë në përputhje me objektivin e fillimvitit prej 4,3 përqind, por mendojmë se do të jetë një rritje ekonomike prej 3 përqind, një rritje e zvogëluar krahasuar me objektivin e që do të bazohet në një rritje modeste të kërkesës së brendshme".
Nadeen Ilahi:
“Shqipëria duhet të bëjë kujdes me nivelin e lartë të borxhit, mbajtja e të cilit në nivelin e 60 përqind ka qenë sfiduese pasi ka çuar në rritjen e detyrimeve të prapambetura dhe uljen e shpenzimeve kapitale, apo të investimeve nga ana e qeverisë. Një nivel i lartë përbën kërcënim për ekonominë shqiptare...”
Ridvan Bode:
Niveli i borxhit do të vazhdojë të mbetet në këto kuota. Borxhi publik shqiptar duke qenë më i larti në rajon është njëkohësisht nga më pak të dëmshmit dhe më pak të rrezikshëm sepse shërbehet me instrumenta tërësisht të brendshëm dhe përmes kredive të zhvillimit nga Bankat e zhvillimit, afatgjata dhe me norma të ulëta interesi".
Ndoshta barka e shpëtimit nuk do të jenë manovrat fiskale, por pikërisht të ardhurat e pritshme nga privatizimet, sidomos 850 milionët e ofruara për Albpetrolin. FMN sugjeron që ato të shkojnë së pari në reduktimin e borxhit. Tha Ilahi: "Sipas pikëpamjes tonë në situatën e një borxhi të lartë do të ishte ideale që së pari të ardhurat nga privatizimet duhet të shkojë në reduktimin e borxhit. Duhet zgjidhur edhe cështja e detyrimeve të prapambetura ndaj kontraktorëve. Kjo do t'u japë likuiditet firmave por do të ndihmojë që ato të shlyejnë kreditë që kanë ndaj bankave". Në këtë pikë mes palëve nuk kishte dallime. – A.N.
Foto: Fullani, Bode e Ilahi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp sot në Tiranë
Add new comment