Shqipëri-Kosovë, 6 ministri do të bëjnë prezantime konkrete në mbledhjen e përbashkët të dy kabineteve, që do të zhvillohet më 23 mars në Tiranë

Të hënën më 23 mars do të mbahet në Tiranë mbledhja e dytë e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë. Mbledhja do të jetë e hapur për mediat dhe do të organizohet në Pallatin e Kongreseve. Ende nuk është përpiluar agjenda zyrtare, por sipas informacioneve paraprake nga Ministria e Jashtme mësohet se delegacioni nga Kosova do të mbërrijë në Tiranë rreth orës 10:30, ku pas pritjes dhe ceremonisë përkatëse, në orën 10:45 do të nis mbledhja e dy qeverive. Pas diskutimeve rreth orës 12:20 do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp e dy kryeministrave Edi Rama dhe Isa Mustafa, ndërsa në orën 12:50 është çasti i fotos së përbashkët të dy kabineteve qeveritare. Gjithashtu sipas burimeve nga ministritë përkatëse mësohet se në këtë mbledhje do të jenë kryesisht 6 prej ministrive që do të kenë prezantime konkrete dhe do të bëjnë një lloj bilanci të marrëveshjeve të përbashkëta, lidhur me atë se çfarë është arritur deri më tani dhe çfarë ka mbetur pa u realizuar. Konkretisht do të diskutohen marrëveshjet e firmosura mes Ministrive të Shëndetësisë, Arsimit, Kulturës, Ekonomisë, Bujqësisë dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale.
Add new comment