Shpërthim patriotik i Berishës para nisjes për në SHBA

Kryeministri Berisha u kujdes të jepte mesazhe të forta patriotike gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, pak orë para nisjes për në SHBA, gjatë të cilës do të marrë pjesë edhe në aktivitetin për 100 vjetorin e organizatës së komunitetit shqiptar në New York, “Vatra”. Fillimisht ai kërkoi organizimin e një tjetër konkursi për ngritjen e një monumenti tjetër me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, vendosjen e një shqiponje në kryeqytet. “Bijtë e shqipes do ta duan shqiponjën diku, po le t’ia lëmë kryetarit të Bashkisë të hapë një konkurs për të ngritur një shqiponjë, që të bëhet simbol i Tiranës”, - tha ai.
Më pas, Berisha kërkoi edhe ngritjen e varrezës mbretërore në Tiranë, pikërisht aty ku kanë qenë më parë, duke kërkuar me insistim sjelljen edhe të eshtrave të Mbretit Zog. “Rikthimi i eshtrave të Mbretit Zog duhet të realizohet patjetër, brenda një afati sa më të shkurtër. Kjo duhet të shoqërohet me ndërtimin e varrezave të familjes mbretërore, i ka pasur ato. Mbi këtë familje është kryer një akt makabër, është minuar varri i nënës së Ahmet Zogut për fajin e vetëm që i dha Shqipërisë një burrë që bëri gjithçka për të ndërtuar një shtet”, - vijoi ai. I gjithë ky shpërthim patriotik i Berishës vjen pas publikimit të skandalit me linjën e interkonjeksionit me Kosovën, ku gazeta “Zëri” e Prishtinës, e akuzoi se po punonte në shërbim të Serbisë por aq më tepër edhe para aktivitetit të “Vatra-s”.
S.E.
Add new comment