"Shekulli”: Saranda iku, e humbëm. Tani të shpëtojmë Ksamilin...

Postuar në 13 Maj, 2015 06:02

Bashkia e Sarandës është një nga kryesoret në vend, jo vetëm për rëndësinë që përfaqëson për turizmin, por edhe sepse me ndarjen e re ajo përfshin edhe Ksamilin. Për hir të së vërtetës duhet thënë që Saranda si qytet është një kufomë urbane e ekzekutuar nga të gjithë për vite me radhë. Ndaj për ata që kanë lindur dhe janë rritur aty, ngjan disi e pabesueshme oferta për rilindje të qytetit, për të bërë këtë e për të bërë atë, sa kohë zhbërja e atij qyteti ka realizuar një transformim të tillë saqë sot sheh një qytet krejt tjetër. Mirëpo premtimet në fushatë siç e dimë janë një llaf goje dhe këtë e dëshmon më së miri një opinion i publikuar sot në gazetën “Shekulli”, që posedohet nga deputeti socialist Koço Kokëdhima. Dhe ja se çfarë thuhet ndër të tjera në këtë opinion: “Bashkiakë të PD-së, në hyqnim e kreut të PD-së dhe kryeministrit të PD-së që betonizuan edhe rrugën, edhe kanalin, ku nga dritarja e apartamentit tënde, hyn të dritarja e fqinjit, ku në vend të dallgëve të detit, ke përpara dallgët e betonit. Saranda kështu ka marrë fund dhe çdo kryebashkiak i ri nuk ka çfarë t’i bëjë më veç të mundohet ta ruajë të paprekur atë që nuk është cenuar deri më sot dhe të krijojë një ambient sa më festiv në këtë det betoni që ka ngrirë buzë Jonit”. Betonizimi i Sarandës ka nisur vetëm pas vitit 1999 dhe qysh atëherë bashkinë e ka drejtuar dy herë PS dhe një herë PD-ja. Dhe kanë përfituar të gjithë. Por opinioni i “Shekullit” është shpresë plotë se diçka mund të bëhet për Ksamilin që tani i bashkohet Sarandës: “Por duhet shpëtuar Ksamili. Ai do të jetë pjesë e bashkisë së re të Sarandës, me ndarjen e re territoriale dhe administrative. Por larg qoftë të ketë fatin e Sarandës, që nuk zhbëhet më. Rreziku qëndron mbi kryet e Ksamilit, që e ka ndjerë betonin 8 vitet e qeverisjes së demokratëve. Zona të tëra të betonizuara, të kthyera thjesht në fjetina për turistët që shqyejnë sytë nga bukuritë e bregdetit. Aty ku i kanë sytë dhe bëjnë plane ende ata që masakruan Sarandën dhe gjithë Shqipërinë, si një Bathore e stërmadhe që të vret shpirtin”. Është prekës ky merak që lexojmë në këto radhë. Shohim një vetëdije të re për mjedin, për bregun e detit, për ruajtjen e tij nga dora e PD-së. Pak ditë më parë kandidatja Floriana Koka deklaroi në formën e një premtimi se për sheshet e ndërtimit do t’u japë çertifikatë pronësie qytetarëve. Fjala është për një sipërfaqe të bllokuar në proces gjyqësor ku janë përfshirë 800 familje që kanë përfituar nga ndarja e tokës nga bashkia dhe një familje që pretendon pronësinë e trashëguar. Nuk dihet sesi kryetarja e bashkisë, nëse fiton, do të imponojë gjykatën në një proces që ka vite që vazhdon. Por në çdo rast zhbllokimi i këtij procesi do të lejojë mbushjen me beton edhe të asaj sipërfaqeje që sot rri bosh. Thënë kjo, në një qytet ku u betonizuan edhe sipërfaqet mbi varreza, këto soj premtimesh janë ca paçavure gënjeshtrash që thonë vetëm një të vërtetë: Saranda iku. Sytë i kemi nga Ksamili. s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.