SHËNIM: Shkëlqimi dhe rënia e yjeve të Grillos

Rezultati i zgjedhjeve të fundit lokale (26/27 maj turni i parë dhe 9/10 qershor turni i dytë), shënoi një rënie vertikale të votave për “Lëvizjen 5 Yje” të Beppe Grillos. Në çdo komunë përqindja e konsensusit të kandidatëve me 5 yje u përgjysmua në raport me shpërthimin që Lëvizja pati në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit të kaluar. Por cilat janë shkaqet e shfryrjes kaq të bujshme të një “tsunami” që premtonte revolucion por që rrezikon të fundoset nga vetë dallga që krijoi? Si gjithmonë arsyet janë të shumta, por unë mendoj se dy janë motivet kryesore që po gërryejnë popullaritetin e krijesës së Grillos.
E para, dhe më e rëndësishmja, është aleanca e munguar me Partinë Demokratike që coi në dorëheqjen e Bersanit dhe në krijimin e një mazhorance të “panatyrshme” me të djathtën personale të Silvio Berluskonit. Një koalicion pas-zgjedhor qeverisës midis Lëvizjes dhe PD-së ndoshta do krijonte ekzekutivin më reformues dhe progresist në historinë demokratike italiane. Por kjo nuk ndodhi sepse linja e Grillo-s ishte e prerë, pa kompromise dhe si rrjedhojë aspak politike. Partia më e votuar në rang republike vendosi të qëndronte në opozitë, duke djegur të gjitha propozimet e Bersanit. Ky i fundit, me koherencë të plotë, pranoi humbjen e bastit dhe ‘hapi krahun’. Padyshim Grillo kishte letrat më të mira në pokerin politik të krijuar pas zgjedhjeve të shkurtit, por thjesht vendosi të mos luante. Gjykimi i qytetarëve erdhi i qartë: elektorati me 5 yje kërkonte të ulej në tavolinat vendimarrëse, dhe jo vetëm të denonconte dhe të zhbironte vendimet e marra nga dikush tjetër.
Së dyti imazhi që po krijohet rishtazi brenda Lëvizjes nuk është aspak qetësues. Pak ditë më parë senatorja Adele Gambaro fajësoi tonin agresiv të diskursit politik të Grillos për humbjen në zgjedhjet lokale. Dukej një kritikë normale drejt liderit por menjëherë shkaktoi një breshëri reagimesh deri në kërkimin për dorëheqje nga grupi parlamentar. Por Gambaro nuk pranoi të largohej “vullnetarisht”, kështu që të hënën e ardhshme grupi do votojë për përjashtimin e saj. Kjo praktikë mban një erë të rëndë monarkie ku devijimi nga “linja e partisë” mund të sjelli pasoja fatale. Aktualisht Lëvizja ngjan si një fuçi baruti gati për të shpërthyer, e ndarë në rryma dhe rrëkera në bazë të “ortodoksisë” ndaj linjës.
Shumë shpresa lindën kur 5 Yjet u ngjitën me aq vrull në qiellin politik italian. Një rezultat aq premutes (26%) që në tentativën e parë rrallë kishte ndodhur në historinë demokratike të shtetit. Është një mëkat nëse Lëvizja nuk shikon më larg se hunda e vet duke u kacafytur brenda llojit vetëm për një llaf goje. Shkëlqimi i yjeve të Grillos ishte sinqerisht verbues por tanimë drita po bëhet gjithmonë më e zbehtë dhe yjet po bien pak e nga pak. E.Xhanari
Comments
Shkelqimi i Grillos ishte

Shkelqimi i Grillos ishte shkelqimi i nje komiku. Kush ia ka fajin italianeve pse menduan se ai mund te behej me shume? Ai thjesht denonconte problemet e shoqerise si e tere, pothuajse pa bere diferenca majtas-djathtas, pavaresisht se mund te arsyetohet qe ishte me shume i majte se i djathte. Nuk dha asnjehere propozime konkrete, te zbatueshme realisht. Thjesht kritika. Pak a shume si ndonje analist i yni. Tregoi me sjelljen brenda partise qe nuk dallon aspak, le te themi psh, nga Berisha e te tjere lidera shqiptare (Rama e Meta ne kete pike nuk jane me pak se Berisha). Dha shenja mosmirenjohjeje dhe arrogance ne sjelljen e tij ndaj Gabanelli-t dhe Rodota'-s. Prape edhe ketu ngjante me Berishen e Ramen. Merret me tema te kota si ajo e dietave/kostove parlamentare qe vetem sa acarrojne deputetet e tij. Nuk ka asnje ide ne fushen ekonomike apo cdo tjeter fushe teknike. Tani a mund te me thuash se pse duhet te prisnim me shume nga Grillo. Mund te arsyetohet qe nqs Grillo merrte diku tek 6-8% ne Itali mund t'i kishte ecur shume me mire. Ne ate rast askujt nuk do t'i kishte shkuar ne mendje te prisnin me shume nga Grillo, thjesht do ta perdornin per te mbajtur gjalle qeverine me ato pak vota te tijat. Pak a shume nje variant i Metes tek ne. Kurse tani priten nga Grillo cudine e rradhes.

Grillon e luftojne te gjithe.

Grillon e luftojne te gjithe. Nuk mund te pretendohet qe levizja e tij dhe njerezit te jene te perkryer. Po dhe elektorati duhet te tregonte pak me shume dinjitet. Nje popull qe tradhtoi vetveten. Partia Demokratike eshte aq pergjegjese sa dhe te tjerat per gjendjen e krijuar, ata i perkasin asaj kaste qe Grillo ka sulmuar pa pushim dhe nuk do kishte kuptim te bente nje aleance me ta.

Fakti qe nuk ben kompromise per ato vlera qe mbron tregon virtut dhe jo gabim.

Grillo, travolto dal

Grillo, travolto dal suo stesso tsunami!

Add new comment