Shënim: Një votë pro edhe për krimin...

Zgjedhjet e 21 qershorit kanë lënë pas fazën e parë, atë të votimit për të kaluar në pjesën më të rëndësishme: numërimin e votave. Është procesi më i rëndëishëm që çon në konstituimin e organeve të qeverisjes vendore. Por ky vit shënon një precedent lidhur me legjitimitetin e atyre që do të zgjidhen, legjitimitet që është i kompromentuar nga përfaqësimi i subjekteve zgjedhore edhe me kandidatë që kanë rekorde kriminale. Prania e këtyre njerëzve dhe drita jeshile që ata kanë marrë nga politika, ose ia kanë imponuar asaj, zhvlerëson jo pak edhe vetë cilësinë e votës së qytetarëve. Ka patur një përpjekje të politikës, kryesisht mazhorancës që të fshehë, apo mbajë larg syve këta individë, të sajojë alibi juridike, apo të kapet pas pseudoargumenteve formale, me synimin që si e si, të diktojë këtë përfaqësim. Dhe në fakt ia ka dalë. Madje me gjasë me fitore, duke na dhënë të gjithëve, përmes “lirisë së votës”, edhe të zgjedhur që vijnë nga bota e krimit. Ky nuk është më spekullim, as lojë për të goditur kundërshtarin. Ky është qëndrim zyrtar i organeve shtetërore në Shqipëri. Sot Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka pohuar se mes kandidatëve ka njerëz me rekorde kriminale, që janë nën hetim, por që nuk pengohen nga ligji që të kandidojnë. “Lidhur me përfshirjen e këtyre individëve në procesin zgjedhor si kandidat, ne kemi dhënë përgjigjen e kërkuar të gjitha institucioneve shtetërore. Tashmë ligji penal nuk pengon individët që të kandidojnë si subjekte në këtë proces zgjedhor. Mendoj se me procesin e nisur nga ligjvënësit dhe politika shqipare për dekriminalizimin e politikës dhe ky problem ligjor do të marrë zgjidhjen e duhur. Ka emra konkretë, që janë bërë publikë sipas kërkesave të institucioneve përkatëse. Nuk kemi asnjë kallëzim penal për këto zgjedhje”, deklaroi Kryeprokurori(http://www.ata.gov.al/lllalla-ka-kandiate-te-inkriminuar-ins...). Njësoj si të tjerë edhe ai nuk ka bërë publike emra konkretë. Por çfarë ka thënë i njëjti zyrtar pak kohë më parë? “Jemi në proces hetimi për disa kandidatë që garojnë në këto zgjedhje, por deri tani nuk kemi të dhëna për kandidatë me të dhëna kriminale”, tha Llalla më 17 maj në një takim me kryetaren e KQZ-së, Lefteri Luzi(http://www.noa.al/mob/index.php?type=artikull&id=493772.html). Kujt i drejtohet ky zotëri? Dhe pse u kujtua pikërisht sot? Përgjigjen me siguri që nuk e japin institucionet shqiptare, që titrohen nga partitë politike, siglat e të cilave janë kthyer në hajmali të çdo hallexhiu që nuk sheh dot rrugëdalje nga ky sistem, e që nuk i duhen sytë të Shohë se për kë po voton. Mirëpo fakti ka dalë tanimë në shesh. Ai është pranuar nga shteti shqiptar, ai pohohet nga përfaqësuesit kryesorë diplomatikë në Shqipëri, donatorë, kontributorë dhe mbi të gjitha Garantues të stabilitetit të vendit. Le të kujtohet mesazhi domethënës i ambasadorit amerikan, i cili na kujtoi hapur dhe pa dorashka, madje duke rrezikuar të “fusë hundët në punët tona të brendshme”, nëse ka të tilla më, se vota për këta kandidatë kriminelë, është thjesht dhe vetëm Poshtërim për popullin shqiptar. Një poshtërim që orkestrohet me dijeni të plotë nga kryeministri, aleati i tij kryesor, por edhe kreu i opozitës. Kemi votuar pra, ose kemi qëndruar mënjanë pa votuar, për njerëz që normalisht nuk do t’u shkonte në mend të dilnin e të kërkonin votën. Njerëz me të cilët çdo kryeministër do të kujdesej shumë që të shmangte edhe takime rastësore. Në fakt shohim se këta janë përçues të programeve të zhvillimit, ata ecin dorë për dore me Rilindës dhe vizionarë, "mendimi" i tyre është në një gjatësi vale dhe plotëson mirë të gjitha aleancat dhe koalicionet, sidomos Aleancën për Shqipërinë Europiane. Janë ndoshta këta që më mirë se kushdo i ndihmojnë edhe politikanëve kryesorë që të mos humbasin drejtimin e duhur. Një drejtim që po cek së fundmi arritje të paimagjinuara për Shqipërinë, pohuar këto nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta: “I kemi treguar Evropës dhe botës sa i fortë është sistemi ynë i demokracisë”. Ndoshta është e vërtetë që edhe demokracia ka variantin e vet shqiptar, brenda të cilit krimi nuk ka antagonizëm me asgjë, sa kohë që lloji i Çiçikovëve harliset më mirë se kudo.
s.z

Comments
Te lumte. Editorial me peshe.
<p>Te lumte. Editorial me peshe. Por kam nje sugjerim. Ver emrin e plote si autor. Bej emer me emrin tend. Me iniciale nuk te njeh kush dhe, troc fare, nenvlefteson veteveten dhe ia ul peshen edhe editorialit.</p>
Kesaj here shumica "votoi" me
<p>Kesaj here shumica "votoi" me mospjesemarrjen e saj kunder sistemit klepto-politik kriminal.</p>
Add new comment