Shënim: Nën hijen e Sali Berishës..

Postuar në 20 Qershor, 2015 03:41

Zgjedhjet e së dielës do të jenë testi i parë elektoral për Lulzim Bashën si kryetar i Partisë Demokratike. Vota do të tregojë nëse ai si kryetar i opozitës ka tejkaluar shifrat e Partisë Demokratike në zgjedhjet e kaluara apo ka mbetur në kuotat kur ajo drejtohej nga Sali Berisha. Rezultati do të jetë një mesazh si e ka lexuar elektorati udhëheqjen e Partisë Demokratike pas dorëheqjes së Sali Berishës dhe një sinjal nëse Lulzim Basha mund të jetë një alternativë për të frenuar supermazhorancën PS-LSI. Basha e mori mbi shpatullat e tij të gjithë fushatën për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit, duke mbajtur larg figura që deri dje ishin në vijën e parë të Partisë Demokratike dhe që shërbyen si ministra në dy qeveritë Berisha. I distancuar nga fushata qëndroi edhe Sali Berisha që gjithsesi pavarësisht se nuk shoqëroi Bashën në takimet elektorale u tregua aktiv me konferenca shtypi dhe postime në rrjetet sociale. Por a është e mjaftueshme kjo për të treguar se Lulzim Basha nuk është në hijen e paraardhësit të tij dhe i shkëputur nga interesat e familjes që e solli në pushtet. Në këto zgjedhje Lulzim Basha vjen me një bilanc të diskutueshëm në bashkinë e Tiranës dhe një opozitë, që përveç retorikës deklarative në parlament, nuk ka treguar se ka qenë vërtet e interesuar për të zbardhur çështje që kanë të bëjnë me afera korruptive që kanë prekur pushtetin; apo çëcshtje të tjera që kanë patur impakt në opinionin publik. Le të kujtojmë këtu skandalin me rimbursimin e barnave ku janë të implikuar drejtuesit e Fondit të Sigurimeve të  Kujdesit Shëndetësor dhe ku opozita akuzoi në parlament si të lidhur me këtë skandal Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Akuzat e opozitës mbetën në kuadrin e denoncimit dhe çudtitërisht ajo nuk kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për këtë çështje. Opozita e Lulzim Bashës  nuk kërkoi hetim parlamentar as për çështjen “Doshi”  dhe akuzat që lidhnin kryetarin e Kuvendit Ilir Meta me skenarë për eleminimin fizik të dy deputetëve(të paktën për veprimet e institucioneve). Edhe në këtë çështje gjithçka mbeti në kuadrin e deklaratave. Gjithë luftën e saj politike opozita e Bashës e përqendroi në kauzën e dekriminalizimit dhe ofertën për ulje taksash e çmimesh që pavërsisht realizmit që bartin nuk i japin opozitës marzhin e besimit që i nevojitet për të kërcënuar numrat e shumicës. Lulzim Basha karrierën e tij në politikë ia ka borxh Sali Berishës dhe këto rrethana duket se janë përcaktuese edhe për të ardhmen e tij politike. Lulzim Basha nuk ka treguar shenja se është i aftë të kryejë atë që quhet  ndarje  mes “babait dhe të birit”  në familjen politike ku militon. Fotoja e mësipërme, e siguruar nga "ResPublica" është një provë, sado modeste që dëshmon se takimet pa protokoll të kreut të opozitës zhvillohen vetëm në një zyrë. Nga ana tjetër, mënyra e zgjedhjes së tij në Partinë Demokratike që i ngjau më shumë një emërimi sesa një gare demokratike, duket se do të jetë me kosto jo vetëm për opozitën por edhe për  vendin që po ecën përpara me një demokraci të komanduar.

 l. mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.