Shënim: 7 të vdekur në një ditë në miniera. S’ka ku të vejë më rëndë, por edhe më e rëndë është kur politika spekulon me vdekjen

Postuar në 08 Nëntor, 2013 00:44

Ka ndodhur edhe më parë nga të dy krahët e politikës. Dhe, megjithë thirrjet njerëzore të familjarëve të lënduar, po ndodh përsëri: që kërkohet kapital politik me vdekjet, me aksidentet të çfarëdo përmase apo lloji që janë ata. Para disa ditësh, Gëzim Doçi, i ati i Elvis Doçit, i cili u vra në një atentat në hyrje të zonës së Komunës së Parisit, u detyrua të dalë në media dhe të bëjë thirrje, që  politika të mos i lëndojë më tej familjarët, duke patur parasysh këtu daljet publike të deputetëve të Partisë Demokratike, që akuzonin ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, se ka gisht në këtë vrasje: “Nëse deputetët kanë fakte dhe emra konkretë, le t’i thonë. Por jo të bëjnë lojëra politike me emrin e djalit tonë”, ka thënë ai.

E njëjta  gjë ka ndodhur edhe dje, kur që në mëngjes në media u mësua lajmi tronditës se pesë të rinj kishin humbur jetën në një galeri të braktisur në Pogradec, Partia Demokratike ka shpejtuar për të hipur në folëtore zëdhënësen e saj, Laura Vorpsi “për të recituar” pasazhe makabre si: “Të gjithë e mbajnë mend, se Edi Rama hidhte valle sa herë që ndodhte ndonjë incident në minierat tona, dhe të gjithë e kujtojmë se Edi Rama ka premtuar siguri në miniera. Të gjithë e kujtojmë se Edi Rama ka premtuar se kur ai të vijë në pushtet nuk do të ketë më të vdekur në nëntokën tonë. Tani, ne kërkojmë që Edi Rama të mos shmanget, por të mbajë përgjegjësi për këto viktima të pafajshme në minierat tona”! etj.etj.  Pas kësaj ka qenë ish-ministri i Finacave, Ridvan Bode, që ka bërë të njëtën gjë në Kuvend. Dhe pas Bodes edhe ka rënë po në këtë pellg, duke akuzuar qeverinë e kaluar që la këtë gjendje!...

E ndërsa politikanët i drejtonin gishtin njëri-tjetrit në Kuvendin e Shqipërisë për ngjarjen e Pogradecit, një tjetër ngjarje e tillë kishte ndodhur në një minierë të Librazhdit ku kishin humbur jetën dy fatkeq të tjerë.

“Lerini njerëzit në fatkeqësitë e tyre, në s’i ndihmoni dot, mos i rëndoni më shumë”! Është thirrja e çdo qytetari të thjeshtë të këtij vendi kur dëgjon broçkullitje të tilla antihumane.

Zh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.