Rihapen hetimet mbi vdekjen e Pablo Nerudës. Këtë herë qeveria kiliane do të jetë palë në çështje

Rihapet dosja hetimore mbi vdekjen e poetit kilian Pablo Neruda, vlerësuar me çmimin Nobel për Letërsinë, i zhdukur në 1973, menjëherë pas grushtit ushtarak që i dha fund qeverisë së Salvador Allende, dhe këtë herë vetë qeveria do të jetë palë në çështje, përmes programit për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Brendshme. Agjencia e lajmeve “Ansa” ka bërë me dije se rihapja e dosjes është kërkuar nga Partia Komuniste Kiliane, në të cilën aderonte Neruda dhe nga nipërit e poetit, të cilët kanë për qëllim t’i çojnë eshtrat e tij për ekzaminim të ri, për të përcaktuar nëse ai vdiq nga kanceri ose është vrarë, pas testeve të toksikologjisë të kryera në vitin 2013 dhe që rezultuan negative. “Ka precedentë të cilët tregojnë se ai mund të jetë vrarë. Këto të dhëna tregojnë për një ndërhyrje të mundshme të disa agjentëve të shtetit, ndaj rasti mund të përbëjë një krim kundër njerëzimit”, tha Francisco Ugas, kreu i të drejtave të njeriut në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
l.v
Add new comment