Raportimet shqiptare për devijimin e Vjosës, heshtja e deritanishme e qeverisë dhe dëshira për një ngërç me Greqinë. Në fakt Athina e ka anulluar projektin

Ditët e fundit në mediat shqiptare është raportuar për një riaktivizim nga Greqia të projektit për devijimin e Vjoses, ku lajmet i janë referuar burimeve shqiptare, e në veçanti ministrisë sonë të Jashtme. Kështu "Top-Channel", në shkrimin me titull “Devijimi i Lumit Vjosa në Greqi, ngërç i ri me Shqipërinë” raporton se Vjosa do të sjellë një tjetër përmbytje, këtë herë jo banorësh, por të raporteve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në këtë raportim evidentohen meritat e ministrit aktual të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili sipas burimeve të "Top Channel" i ka dërguar notë zyrtare Athinës zyrtare, ku i ka kujtuar detyrimin për zbatimin e marrëveshjeve të përbashkëta. (http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=293584#k1). Çuditërisht kjo çështje u soll në vëmendje pak ditë më parë nga deputeti socialist Besnik Bare, i cili në një intervistë për "A1 Report" tha se: “Ne duhet të bëjmë pjesën tonë, u takon të gjitha institucioneve shtetërore, përfshi dhe Parlamentin, të luajë rolin e vet në këtë drejtim, minimalisht të ketë informacionin e domosdoshëm dhe të dobishëm, e cila garantohet nga vetë Konventa e Espos dhe që ne të mbajmë qëndrimin përkatës, nga ku pastaj ekspertët dhe politikëbërësit dhe institucionet përkatëse qeveritare të luajnë atë rol që duhet të luajë në këtë rast, në mënyrë që të mbrojmë interesat e palës shqiptare, sigurisht jo në kurriz të palës greke, por dhe ata kurrsesi nuk është e drejtë të marrin vendime në kurriz të palës shqiptare”. Kjo temë u trajtua edhe nga gazeta “Shqip” në shkrimin me titull “Projekti grek për Vjosën, Tirana jashtë loje deri sa të vendosë gjykata” (http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/02/21/projekti-grek-per-vjosen-tirana-jashte-loje-deri-sa-te-vendose-gjykata/). Shumë zhurmë nga mediat pranë qeverisë për asgjë që lidhet me zhvillime konkrete kundër interesave të palës shqiptare, pasi vetëm pak ditë më parë në seancën plenare të 11 shkurtit në parlamentin grek, zv/ministri i Mjedisit, Janis Tsironis u shpreh se qeveria Tsipras do të bëjë të pavlefshme (do të anullojë) projektet për devijimin e dy lumejve Vjosë dhe Ahelou, të ngrira prej disa vitesh siç shkruan në raportimin e saj gazeta “Kathimerini”. Në prezantimin e disa projektligjeve për pyjet dhe mbrojtjen nga zjarret, zv/ministri grek lajmëroi pikërisht anullimin e këtyre dy projekteve. “Siç pritej do të zhbëhen projektet për devijimin e lumenjve të Vjosës dhe Ahelout, të cilat janë të ngrira prej disa vitesh)-citon Kathimerini. http://www.kathimerini.gr/803119/article/epikairothta/politikh/epispeysh-dasikwn-xartwn-kthmatologioy. Këto ditë mediat pranë qeverisë e kanë prezantuar si tepër aktive palën shqiptare dhe ministrin e linjës Ditmir Bushati për çështjen e Vjosës, të cilët edhe pse kanë akuzuar palën greke për mungesë të kontakteve me palën shqiptare, nuk kanë bërë publike asnjë shkresë që ata u kanë dërguar autoriteteve greke, njësoj si në rastin e lumit Radika. Nga hapat që po ndjek qeveria greke dhe që janë bërë publike në media, pala shqiptare duket se është vërtet jashtë loje, ndonëse ministria jonë e Jashtme ka dëshirë ta shohë lumin Vjosa si një tjetër ngërç me Greqinë.
l.mitro
Add new comment