Raporti i BSH/ Banka verifikon arkën: Mungojnë 713 milionë, lekë asnjë qindarkë më shumë

“Gazeta Shqiptare” shkruan sot se në Thesarin e Shtetit janë vjedhur vetëm 713 milionë lekë, asnjë qindarkë më shumë. Në këtë përfundim kanë dalë tre ekspertët e caktuar nga Prokuroria e Tiranës, të cilët kanë kryer inventarizim të ri në Departamentin e Emisionit, pas dyshimeve të forta që kishte organi i akuzës, se mund të ishin vjedhur më shumë para sesa shuma e deklaruar nga vetë Banka e Shqipërisë, pak ditë pas publikimit të skandalit më 21 korrik 2014. Gazetarja Klodiana Lala që e ka ndjekur këtë çështje shkruan në “Gazeta Shqiptare” se në fakt, ishte vetë Ardian Bitraj, ish-përgjegjës i Arkës Stok dhe njeriu që ka marrë përsipër i vetëm supervjedhjen në Thesar, që në çastin e vetëdenoncimit, deklaronte se shuma e parave që kishte vjedhur ishte diçka më shumë se 700 milionë lekë, ku 600 milionë ishin prerje të reja që pritej të hidheshin në qarkullim, ndërsa afër 120 milionë prerje të dala nga qarkullimi dhe që priteshin të asgjësoheshin. Tre ekspertët, që në fakt zyrtarë të lartë të Bankës së Shqipërisë u është dashur një muaj kohë, për të kryer inventarizimin dhe për të përpiluar raportin, që prej katër ditësh ia kanë vënë në dispozicion Prokurorisë së Tiranës. Bëhet fjalë për një raport prej afro 80 faqesh, ku ekspertët u kanë dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve të prokurorëve.
l.v
Add new comment