Raportet e FMN, angazhimet e palës shqiptare. Ulje borxhi, reformë pensionesh, rivlerësim taksave dhe një skemë lotarie për faturat e blerjeve

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka publikuar sot 2 raporte të rëndësishme për Shqipërinë. Raporti i parë është ai që hedh dritë mbi situatën ekonomike të Shqipërisë ku vlerësohet sistemi financiar i vendit, Konkluzionet e raportit flasin për një cënueshmëri të sistemit financiar nga rreziqet në rritje për ekonominë shqiptare. Shkalla e lartë e kredive me problem, përdorimi i lartë i monedhës euro në ekonomi apo ekspozimi i sistemit bankar ndaj borxhit publik janë ndër faktorët kryesorë të riskut. Referuar raportit, në rast të një skenari ekonomik të përkeqësuar jo vetëm vendas por edhe të jashtëm, sistemi bankar në vend do të ndjente direkt pasojat. Nga 16 banka, 6 prej tyre do të prekeshin ndjeshëm, në një kohë që ka një rënie të ndjeshme të fitimeve. Ndër të tjera, në raport FMN rekomandon ndërhyrje më energjike për uljen e nivelit të kredive me probleme përmes një pakete masash. Për më shumë raporti i plotë në anglisht:
http://www.imf.org/external/pubs/ft/scr/2014/cr1479.pdf
Ndërsa raporti i dytë me rreth 115 faqe i publikuar sot nga Fondi Monetar Ndërkombëtar hedh dritë mbi marrëveshjen që ka nënshkruar qeveria shqiptare, ku përfshihet jo vetëm kredia 330 milionë euro por edhe detyrimet që do të përmbushë pala shqiptare. Memorandumi me më shumë se 50 pika përcakton edhe atë se çfarë do të bëjë qeveria “Rama” në vijim për ekonominë. Në memorandum shprehet angazhimi i palës shqiptare për të ulur nivelijn e borxhit publik duke nisur nga vitit 2015. Synimi është që deri në vitin 2019 borxhi publik të arrijë në 60 për qind. Po ashtu, në memorandum flitet për një fond kontigjence, që nëse mbledhja e të ardhurave shkon mirë, qeveria shqiptare mund ta vërë në funksion të ekonomisë përmes miratimit të një buxheti suplementar në 6 mujorin e dytë të këtij viti. Një detaj interesant është ai mbi skemën që do të ndjekë qeveria shqiptare për rritjen e formalitetit dhe uljen e evazionit fiskal. Skema parashikon aplikimin e lotarive në fatura me qëllim që klientët të nxiten t’i kërkojnë ato. Po ashtu, nga viti i ardhshëm parashikohet të aplikohet taksa e pasurisë së paluajtshme në një nivel mbase më të lartë, ashtu sikurse nuk përjashtohet mundësia e masave shtrënguese të regjimit fiskal nëse do të lindë nevoja.
Disa nga angazhimet e palës shqiptare:
-Angazhohemi të nisin konsolidimin fiskal në 2014 në mënyrë që të nisim uljen e nivelit të borxhit publik duke nisur nga viti 2015.
-Synimi ynë është që deri në fund të programit me FMN në vitin 2016 niveli i borxhit të arrijë 69 për qind për të vijuar me 60 për qind në vitin 2019.
-Buxheti i vitit 2014 parashikon një fond kontigjence në rast se do të kemi një rënie të paparashikuar të të ardhurave. Shpërndarja e këtij fondi do të bëhet vetëm në rast se kemi një tejkalim të planit në mbledhjen e të ardhurave nga tatimet dhe taksat. Vendimi do të merret në konsultë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe ndarja e tyre do të bëhet përmes një buxheti suplementar që do të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë në 6 mujorin e dytë të vitit.
Nëse nga ana tjetër, nëse ecuria e të ardhurave është më e mirë / e keqe sesa pritet si rezultat i përmirësimit / përkeqësimit të kushteve ekonomike, performanca mbi / nën përllogaritjet tonë do të aplikojmë drejt shtrëngimit / lirimit të politikës fiskale në konsultim me stafin e FMN. Në këtë mënyrë programi i propozuar me FMN-në do të na lejojë të kalibrojmë shpejtësinë e rregullimeve fiskale në periudhë afatmesme në përputhje me ciklin ekonomik.
-Jemi duke planifikuar procesin e implementimit të një serë masash për rritjen e mbledhjes së taksave dhe uljen e evazionit fiskal. Po planifikojmë të aplikojmë shorte apo lotari në faturat e shitjeve në muajin qershor të 2014 në mënyrë që të nxisim konsumatorët të kërkojnë faturat në transaksionet e tregut. Ne do të nisim një fushatë ndërgjegjësimi publik në media duke filluar nga qershori 2014 mbi rëndësinë e pagimit të taksave.
-Do të fillojmë përgatitjet së shpejti për të rivlerësuar taksën mbi pronën brenda vitit 2015. Mbledhja e taksës së pronës në nivel lokal është shumë e ulët dhe reflekton dobësinë e të dhënave të paplota të pronësisë duke e bërë të vështirë administrimin e saj. Ne kemi kërkuar asistencë teknike për të vlerësuar futjen e një takse për pronën duke u bazuar në vlerën reale të saj. Për këtë qëllim ne jemi duke nisur punën me fotografimet nga ajri dhe do përforcojmë regjistrin e tokës deri në fund të 2014.
-Përsa i përket reformimit të sistemit të pensioneve, një Komision i ri Reforme do të ngrihet brenda marsit të 2014 (që do të hedhë piketat strukturore) i cili do të nisë një shqyrtim gjithëpërfshirës të sistemit të pensioneve në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe të paraqesë një strategji të reformës afatmesme për miratim në Këshillin e Ministrave në dhjetor të 2014.
-Reformimi i procedurave të regjistrimit të bizneseve do të jetë prioritet absolut. Objekti është tyë përmirësojmë transparencën dhe të shkurtojmë kohën e bizneseve në këtë drejtim. Kemi planifikuar disa rishikime për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) në fillim të vitit 2015, duke përfshirë rishikimin e ligjit dhe krijimin e mundësisë së aplikimeve on-line.
-Kemi planifikuar të çojmë më tej reformën në bujqësi. Synimi është që të lehtësojmë investimet në këtë sektor. Ndaj synimi ynë është që brenda 2015 të shpërndarjmë 70 për qind të titutjve të pronësisë.
Raporti i plotë me memorandumin: http://www.imf.org/external/pubs/ft/scr/2014/cr1478.pdf
k.k
Add new comment