Rama në Akademinë e Policisë: Nuk do të jeni kurrë vetëm, motivim financiar për me të mirët

Kryeministri Edi Rama ka dhënë mbështetje maksimale të qeverisë për punonjësit e policisë. Këtë premtim ai e ka bërë përpara studentëve më të rinj të Akademisë së Policisë së Shtetit. Sot kjo akademi ka hapur sezonin e ri akademik dhe në ceremoninë e hapjes ishin edhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.
“Ju tani jeni 500 vajza e djem që keni kaluar në këtë fazë të dytë duke lënë pas shumë të tjerë e të tjera që erdhën në këtë rrugë, por që nuk mundën të kalojnë provat gjatë rrugës. Sigurisht që provat vazhdojnë, ju tani jeni në kujdesin e një grupi pedagogësh që vijnë nga eksperienca e drejtpërdrejtë në Policinë e Shtetit, jeni përpara provës që do të tregojë nëse jeni apo jo të denjë për të vazhduar rrugën e kështu do të vazhdojë rruga juaj dhe do të vazhdojë rruga e çdokujt që është në karrierë në Policinë e Shtetit me prova pas provash , me sfida pas sfidash dhe me rreziqe”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama ka kërkuar nga punonjësit e ardhshëm të policisë që të respektojnë uniformën e tyre, punën që u është besuar dhe të mos përbaltin gjakun dhe nderin e punës së bërë nga policë të rënë në detyrë. Sipas tij kjo punë është krejt ndryshe ndaj të tjerave. Rama u tërhoqi vëmendjen studentëve të akademisë vlerat edhe parimet e punonjësit të policisë. Pavarësisht situatës së rëndë financiare, theksoi Rama, ne rritëm pagat e Policisë së Shtetit me 25 %. jo mjafton, vijoi Kryeministri, për t’u thënë se ju, jo vetëm nuk jeni vetëm, por se në rrugën ku hyni sot në rast se kaloni të gjitha provat për të dalë në terren, do të keni hap pas hapi motivimin moral e financiar. S.S
Add new comment