Rama: I marr gjithmonë me rezervë citimet e deklaratave të miqve dhe partnerëve

Postuar në 06 Qershor, 2014 03:01

Kryministri, Edi Rama gjatë një interviste për “Tv Klan”, thotë se “nuk është asnjë çudit që të mos jetë dakord” me zyrtarët e lartë të vendeve partnere. Si arritet më të mëdha në këto muaj qeverisje, Rama veçon luftën kundër krimit dhe rimëkëmbjen ekonomike.

 

Gazetarja: Z. Kryeministër urime për rekomandimin. Kemi marrë rekomandimin nga komisioni dhe presim vetëm pak ditë për të marrë një përgjigje nga Këshilli. A jemi në të njëjtën situatë si në muajin Dhjetor, kur morëm rekomandimin por na u refuzua statusi dhe nëse do të jemi në të njëjtat kushte a mendoni se do të jetë faji i Bashkimit Europian apo faji i qeverisë shqiptare?

Edi Rama: Së pari besoj që urimi i takon në radhë të parë atyre që punuan në vijën e parë për këtë ditë, po pa dyshim dhe jo për formalitet dua ta them sepse është plotësisht e merituar që ky urim i takon Kryetarit të Kuvendit, i cili u angazhua në vetë të parë me një axhendë të posaçme. Urimi i takon edhe Kryetares së Komisionit të Integrimit për një fakt shumë të thjeshtë, sepse besoj që ajo është e vetmja hapësirë në Parlament ku ka pasur një normalitet dhe ku nuk është importuar energjia shumë negative e të enjteve siç ka ndodhur për fat të keq në komisione të tjera duke penguar punën.

Thënë të gjitha këto besoj se ka një ndryshim qoftë në përmbajtjen e raportit dhe në formën e rekomandimit siç e theksoi dhe komisionieri, por edhe në faktin se nëse në Dhjetor ata që ishin skeptikë dhe unë vazhdoj të them jo për shkak të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare por më shumë për shkaqet e tyre të brendshme kishin një arsye të qëndrueshme kur thanë se, dakord qeveria shqiptare po bën një punë impresionuese, por ne kemi nevojë për më shumë kohë. Kemi nevojë për më shumë kohë sepse faktikisht në muajt e parë kjo nuk është e para qeveri që bën disa gjëra të mira dhe zhgënjimet nga qeveria e mëparshme kanë qenë shumë të mëdha sidomos në periudhën e fundit. Tani besoj që provimi i një vendi jepet para Komisionit Europian, pastaj në Këshill ka edhe arsye të mëvetësishme të vendeve të veçanta, për të cilat ne sot jemi optimist por unë vazhdoj të them se sot Shqipëria jo vetëm e meriton statusin e vendit kandidat, por është një vlerë e shtuar në një proces ku Europa duhet të bëjë një zgjedhje shumë të qartë dhe dua shumë të shpresoj se janë të gjitha mundësitë që Europa të bëjë një zgjedhje shumë të qartë mes frikës që po mbjellin në vazhdimësi disa forca ekstremiste dhe shpresës që vetë projekti europian përfaqëson dhe i cili mbartet sot e gjithë ditën nga ende pjesa më e madhe e forcave politike në Europë.

Gazetarja: Z. Rama veçuat vetëm kryetaren e Komisionit të Integrimit, znj. Bregu por ajo nuk është e gjithë opozita. Po meritë opozita a ka në dhënien e rekomandimit për Shqipërinë?

Edi Rama: Në rast se do të marrim statusin dhe kur ta marrim statusin do t’ju siguroj se patjetër ne do të njohim ashtu siç i takon meritat e të gjithë atyre që punuan në vite sepse kjo nuk është një punë e disa muajve edhe pse nga një anë nuk duhet harruar se statusi u vonua fatkeqësisht edhe për një sërë problemesh të brendshme, më i pari zgjedhjet shumë problematike, të cilat u bënë një problem i madh ndërkombëtar për një periudhë kohe deri kur në 23 Qershor edhe ky problem u hoq nga axhenda e problemeve që Shqipëria kishte. Pra, marrim dhe kur ta marrim statusin atëherë me siguri që jo vetëm do t’i takojë edhe palës tjetër ajo pjesë e meritës që ka, por edhe ne nuk do të organizojmë asnjë miting kundër opozitës, nuk do të bëjmë asnjë koncert për të festuar, s’do hedhim as fishekzjarre duke shpenzuar paratë e taksapaguesve për të marrë ne rolin e triumfatorit, por thjesht do të ndihemi më të përgjegjshëm, ndërsa për këtë periudhë t’iu them të drejtën nuk shoh jo vetëm, por përkundrazi në rast se do të isha tërësisht i sinqertë me ju besoj se me ose pa dashje, une besoj më shumë se padashje sesa medashje, por më shumë nga paaftësia dhe nga sensi i gabuar me të cilin e ka nisur Partia Demokratike rrugën e opozitës kanë penguar sesa kanë ndihmuar.

Gazetarja: Z. Rama në fillim të kësaj jave në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist keni deklaruar se javën e ardhshme ju do të dorëzoni pranë organit të akuzës të tjera dosje që implikojnë ish- zyrtarë të lartë, madje ish-ministra demokratë në aferra korruptive, paraprakisht a mund të dimë ndonjë nga emrat e ish-ministrave?

Edi Rama: Gjëja që mund t’iu them është se në javët në vijim ne do të kemi të tjera rezultate të kontrollit që po vazhdojmë po bëjmë në të gjitha instiutucionet lidhur me zullumet e të kaluarës dhe fatkeqësisht na rezulton se ka të tjerë ish-ministra të përfshirë në këto zullume, kuptohet që pastaj është Prokuroria që do të bëjë detyrën e vet siç për fat të keq nuk po e bën deri tani në këndvështrimin tonë, ashtu siç duhet, me ritmin e duhur, por le të besojmë se ndërkohë po e bëjnë me cilësinë e duhur dhe të presim.

Gazetarja: Jonathan Moore në Shkurt ka thënë specifikisht që nuk luftohet korrupsioni duke e nisur nga ish-at. Do të vazhdoni të denonconi ish-ministrat?

Edi Rama: Së pari unë i marr gjithmonë me rezervë citimet e deklaratave të miqve dhe partnerëve kur ato përkthehen në shqip, kur nxirren nga konteksti, kur futen në kontekste të tjera edhe pse ai mund ta ketë thënë dhe nuk është asnjë çudi që në këtë rast unë të mos jem dakord me të.

Gazetarja: Vetëm ish-at janë ata që kanë bërë aferra korruptive?

Edi Rama: Të jeni e sigurtë që ne nuk bëjmë asnjë dallim në këtë aspekt dhe për momentin ka vetëm ish-a sepse për fat të mirë, të paktën deri në momentin që po flasim nuk kemi asnjë arsye të dyshojmë dhe jo më pastaj të konkludojmë që ata që janë zgjedhur në 23 Qershor dhe që janë në detyrën e tyre si ministra të jenë të përfshirë në çfarëdoqoftë që hedh hije mbi këtë qeveri, por nëse do të ketë ndonjë rast të tillë të jeni absolutisht ju dhe të gjithë ata që na dëgjojnë dhe na shohin të bindur se do të ndiqet e njëjta rrugë pa kompromise dhe pa asnjë tolerancë.

Gazetarja: Me çfarë krenohet kryeministri Rama në këto 9 muaj të parë? Kush është nisma që ja ka arritur të realizohet 100 përqind? Nqs kemi parasysh të gjitha qeveritë në mandatin e parë kanë një “boom”, një prioritet që realizohet brenda vitit të parë. Nqs kemi parasysh këtu paraardhësin tuaj, z. Berisha u vlerësua shumë edhe nga ndërkombëtarët për luftën ndaj bandave kriminale, po ju z.Rama me çfare mund të krenoheni?

Edi Rama: Së pari ne nuk kemi bërë akoma vitin, së dyti për sa kemi bërë besoj që sot jo me gojën time por e gojën e Komisionit Europian ka shumë gjëra për tu krenuar duke nisur nga vendosmëria në luftën kundër korrupsionit dhe veprimeve konkrete siç thotë raporti i Kongresit tek rritja e ndjeshme e rezultateve në luftën kundër trafiqeve, në kapjen e sasive të drogës dhe trafikantëve, në kapjen dhe ekstradimin e kriminelëve të kërkuar ndërkombëtarisht, por kjo është pjesa që ka të bëjë me korrupsionin dhe krimin ndërkohë që ka një pjesë tjetër që realisht për mua është shumë e rëndësishme, që është rivënia në lëvizje e ekonomisë, që është ridhënia frymë sipërmarrjes, që është lehtësimi i barrës mbi biznesin e vogël, që është rritja e fuqisë-blerëse të 97 përqind të shqiptarëve që përfituan nga ulja e taksave, këtë e tregojnë shifrat e konsumit të rritur, rritja e të ardhurave në tatimet, doganë e  kështu me radhë, por nuk dua të bëj një bilanc që të duket sikur jemi këtu në një buqetë suksesesh sepse mua nuk më pëlqen të flas për sukseset, më pëlqen të flas për sfidat.

Gazetarja: Pyetja e fundit z.Rama ka të bëjë me partinë, jo me qeverinë. Kur ishit në opozitë akuzonit shpesh Partinë Demokratike për mungesë demokracie, mungesë të mbledhjes së forumeve, që kur keni ardhur në qeveri duket sikur po ndiqni të njëjtën rrugë dhe ju, s’ka mbledhje të forumeve të larta. Madje është djegur dhe mandati juaj si kryetar dhe akoma nuk po mblidhen forumet për të bërë rizgjedhjen e kryetarit të Partisë Socialiste.

Edi Rama: Të them të drejtën mbase edhe mund ta kem bërë në një moment po nuk më duket se jam marrë me aspektin e punës së forumit të Partisë Demokratike kur ishte në qeveri dhe nga ana tjetër ne jemi votuar për të qeverisur, nuk jemi votuar për të bërë mbledhje, as për të bërë procedura zgjedhjesh për kryetarin ndërkohë që në statutin tonë është fare e qartë që kryetari i partisë është edhe kryeministër dhe në momentin që kryetari i partisë është edhe kryeministër, çfarë do bëjmë ne, do bëjmë a mund të jetë kryeministri, kryetar?

Gazetarja: Ben Blushi nuk e njeh statutin kur deklaron se ju iu ka mbaruar mandati dhe duhet të mblidhen forumet për të vendosur?

Edi Rama: Këto janë interpretime. Ky është interpretimi im dhe unë bazohem tek ajo që bëjnë partitë tek të cilat ne kemi marrë shembullin kur kemi futur në statutin tonë parimin: një anëtar, një votë. Atëherë të gjitha partitë që kanë parimin: një anëtar, një votë dhe që shkojnë në zgjedhje me një anëtar, një votë kur janë në opozitë, asnjëherë nuk bëjne rikonfirmim brenda partisë, të konfirmimit të vullnetit popullor me votë ku partia merr të drejtën për të qeverisur dhe kryetari merr të drejtën për të drejtuar qeverinë, sepse besoj që nëse do të kënaqeshin një numër i vogël njerëzish brenda partisë me këtë formalizëm asapk demokratik do thoja unë, populli do thoshte po ne për çfarë i votuam këta që të rrinë dhe të vinë vërdallë nëpër Shqipëri për të bindur njëri – tjetrin se kush është më i zoti për të drejtuar Partinë Socialiste? Partia Socialiste dhe besoj çdo parti në kushtet e një sistemi normal demokratik nuk është as qëllim në vetvete dhe as një mjet në vetvete por është një fuqi e krijuar për t’i dhënë vendit një alternativë dhe në momentin kur populli ka besuar që të  implementojë alternativën është absurde të mendosh që duhet të merret me formalizimin e një procesi që praktikisht ka kaluar në një filter shumë më të madh sesa filtri i anëtarësimit të partisë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.