Policia lokalizon 80 persona të kërkuar, aksion në të gjithë vendin

Me urdhër të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, Policia e Shtetit ka nisur një operacion blic në qytetet kryesore të vendit me synim kapjen e elementëve kriminalë, kontrollet për armëmbajtje pa leje në automjete e lokale, si dhe verifikimin e disa prej personave me precedentë të mëparshëm penalë, por edhe për verifikime e kontrolle të rastësishme. Burime nga policia e shtetit bëjnë të ditur se deri më tani janë lokalizuar 80 persona të kërkuar për të dyshuar për vepra të ndryshme penale. Në aksion janë përfshirë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të cilat po mbështeten dhe nga strukturat e tjera të policisë. Mësohet se operacioni i policisë ka nisur rreth orës 19:00 të ditës së premte dhe do të zgjasë përgjatë gjithë natës, e deri në fundjavë. Operacioni i Policisë së Shtetit vjen pak ditë pas ngjarjeve kriminale që ndodhën në fillim të javës në Tiranë, ku si pasojë e shkëmbimeve të zjarrit në dy zona të ndryshme të kryeqytetit, mbeti i vrarë një shtetas dhe u plagosën tre të tjerë. Aksioni i policisë vjen edhe pas akuzave të opozitës për kërcënime ndaj saj nga elementë kriminal, si dhe në kuadër të forcimit të luftës ndaj terrorizmit.
l.v
Add new comment