Polarizim rreth rrezikut nga ISIS edhe në Itali. “Il Giornale” i quan çmenduri masat e qeverisë për trajtimin e të burgosurve islamikë dhe bën thirrje për “armatosje”

Radikalizmi islamik, si term, po pështjellon shumë gjykimin e opinionit në Europë. Rasti më i fundit i keqkuptimit ndodh në Itali, ku një gazetë si “Il Giornale” publikon një koment me titull: “Çmenduria e fundit e qeverisë: më shumë të drejta për të burgosurit islamikë”. Koment që ka për autor Domenico Ferrara, i cili i quan krejtësisht të pavenda qëndrimet e ministrit të Drejtësisë, Andrea Orlando. Ky i fundit në një intervistë për “Corriere della Sera” shprehej se “respektimi i të drejtave të të burgosurve të besimit islam, përveçse detyrim që buron nga parimet kushtetuese, synon edhe të jetë instrument për parandalimin e radikalizimit dhe rekrutimit me bazë fondamentaliste; një rrugë për t’iu kundërvënë proselitizmit të atyre që na shohin si armiq të Islamit”. Dhe këtë qasje gazetari e shikon si dorëzim të qeverisë. Madje duke supozuar se edhe opinioni publik mund të perceptojë të njëjtën gjë. “...praktikimi i një lloj “favoritizmi” rrezikon që të shihet nga opinioni publik si një lloj dorëzimi i qeverisë”, shkruan Ferrara. Këto predikime pasurohen edhe nga një opinion i një dite më parë që kanë për autor Allessandro Sallusti që bën thirrje për armatosje. Sipas tij, përderisa ISIS mori Libinë, një ditë të bukur do të marrë edhe Tripolin, aeroportin megjithë aviacionin dhe një ditë të bukur do të duket mbi Romë. Sallusti me sa duket i bën jehonë kërcënimeve të organizats se do të shkojë deri në Romë dhe thotë se kjo gjendje është pasojë e një pacifizmi që e ka lënë Italinë të pambrojtur, pse ka kriminalizuar armatosjen. Kështu Italia nuk tremb më asnjë dhe ndaj sipas tij “jemi gjysmë të vdekur”. Çka mund të kuptohet nga këto shkëndija është se, ose lufta politike në Itali është njësoj si këtu te ne, ose frika është realisht kaq e madhe dhe për pasojë ajo parathotë diçka jo të mirë.
s.z
Add new comment