A po shkohet drejt konfliktit? Rusia kalon në stërvitje ushtarake në Veri; “Lituania përgatitet për invazionin rus”, shkruan “Reuters”

Ndërkohë që e ardhmja e konfliktit në Ukrainë nuk dihet se çfarë do të sjellë për Europën, shenjat në rajone të tjera flasin se të paktën Rusia po e përpunon si variant eventual edhe një luftë ku do të jetë vetë pjesëmarrëse. Kështu dje, presidenti rus, Vladimir Putin, i saposhfaqur pas një mungese disaditore, ka urdhëruar Flotën e Veriut të kalojë në gatishmëri të plotë me synim zhvillimin e stërvitjeve luftarake masive. Janë 41 anije luftimi, 15 nëndetëse, 110 aeroplanë dhe helikopterë me pjesëmarrje të një personeli prej 38 000 vetësh. Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu deklaroi se në finale stërvitja synon aftësimin e njësive në fjalë për sigurimin e Federatës Ruse në rajonin e Arktikut. Agjencia ruse e lajmeve që publikon lajmin, nënvizon se pak ditë më parë, një vend fqinj i Rusisë, që ndodhet në këtë brez, Norvegjia, nisi stërvitjen më të madhe në dekadat e fundit, pikërisht afër kufirit me ruso-norvegjez, ku marrin pjesë 5000 trupa dhe e cila përfundon në 18 mars(http://sputniknews.com/military/20150316/1019541658.html). Nuk dihet çfarë do të thotë kjo tendosje, aq më tepër që stërvitje të këtyre përmasave në kohët që jetojmë, janë një kosto e konsiderueshme edhe në planin financiar. Por ato vijnë në kontekstin e shndërrimit të situatës në Ukrainë, në terminal të përballjes ushtarake, përderisa vetëm dje, presidenti ukrainas, Poroshenko deklaroi se marrëveshja “Minsk 2” nuk funksionon. Me gjasë kjo është mundësia e fundit për diplomaci, pas së cilës ose do të duhet një zgjidhje dyshe SHBA-Rusi, ku Moska do të kërkojë me çdo çmim federalizimin e Ukrainës, ose do të hapet rruga e konfliktit dhe furnizimit me armë të Kievit. Çështja është se edhe në Perëndim ka një “nervozizëm të qëllimshëm” ndaj Kremlinit, i cili mund të konstatohet në publikimin e parreshtur të artikujve me natyrë propagandistike, e që nuk i shërbejnë aspak një mundësie dialogu me Rusinë. Shembull është p.sh agjencia “Reuters”, e cila vetëm këtë javë ka publikuar disa opinione me tituj si: “Më në fund gjermanët e shohin Putinin për atë që është”, e ku flitet “për rolin e ri të Gjermanisë në botë”, apo për “aftësinë e rifituar të gjermanëve për të menduar strategjikisht”; një tjetër opinion e kërkon çelsin e leximit të sukseseve të ISIS-it te precedenti i bolshevikëve pikërisht në Rusi, me krahasime që jo vetëm çalojnë, por stigmatizojnë ata të cilët ishin më vonë aleatë strategjikë të Perëndimit. Së fundmi, Ola Cichowlas, publikon një opinion me titullin impresionues: “Lituania përgatitet për një invazion të Rusisë”. Opinioni udhëhiqet nga ideja se qenia anëtar i NATO-s nuk jep ndonjë garanci kushedi se çfarë, përderisa përballë është Putin, që portretizohet përmes fjalëve të ekspertëve si një i krisur që mund të bëjë gjithçka. “Estonia, Letonia dhe Lituania, të gjitha anëtare të NATO-s I tremben një sulmi rus”, shkruan Cichowlas që raporton se lituanezët kanë vendosur të aktivizojnë mobilizimin e detyruar ushtarak. Më tej sillet paralelja me Munihun e 1938-ës, ku “lëshimet i shtuan oreksin diktatorit”, për të vijuar me përshkrime gjeografike dhe për ta mbyllur me fraza si: “Askush nuk e di se çfarë do të bëjë më tej Putin. Por lituanezët po përgatiten për më të keqen”( http://blogs.reuters.com/great-debate/2015/03/15/lithuania-p...). Në të vërtetë, këtyre opinoneve të mbidozuara me emocione(!) u mungon realizmi, sa kohë që po të shihet sjellja e Kremlinit në rastin e Ukrainës, aty vetëm logjika nuk mungon. Edhe deklarimi i fundit i Putinit se për Krimenë ishte parashikuar edhe aktivizimi i armëve bërthamore, në thelb ka sens mbrojtës, përderisa apelon për një kufi, tej të cilit Rusia nuk duket se pranon prezencë të shtuar ushtarake. Po përsëritet shpesh se zgjerimi i NATO-s është shkak i tensioneve, por me sa duket kjo status quo, ku Perëndimit i duhet të llogarisë lejen ruse kundrejt vendimeve “sovrane” të shteteve dikur satelit të Moskës, apo pjesëtarë të BS-së, për t’iu bashkuar “demokracive”, nuk pranohet më. Sidomos kur politika e energjisë synon në plan afatgjatë ringritjen e fuqisë gjeopolitike ruse, përmes krijimit të varësisë jetike në këtë sektor. Në çdo rast do të jetë forca ajo që do të vendosë, por përpjekja propagandistike për të izoluar Rusinë dhe regjimin duke e shërbyer kreun e tij, si të çmendurin e fundit, apo autokratin paranojak që nuk di çbën, është qesharake. Kjo edhe sepse Rusia nuk është Libia, dhe as Putini nuk është Gedafi, megjithëse pabesia ndaj këtij të fundit është një njollë në qëllimin fisnik të “vendosjes së demokracisë dhe çlirimin e popullit libian”. Ndoshta do shpresuar se e vetmja përpjekje fisnike në këtë situatë, do të ishte nëse Perëndimi po vepron edhe në shenjë korrigjimi ndaj mosveprimit me pasoja të mëdha në Hungari më 1956, apo edhe në Çeki më 1968.
s.zaimi
Add new comment