Personalizohet përballja mes Presidentit dhe kryeministrit. Debat në distancë përmes statuseve në “Facebook”. Temë formale e përballjes, çështja “Zhiti”

Postuar në 14 Shkurt, 2015 13:59

Përballja e kryeministrit me presidentin është personalizuar, duke dëshmuar për një hendek dhe mungesë të madhe komunikimi real. Ndonëse nuk është gjë e re në Shqipëri, në këtë tension të ri ka një paradoks, që krijohet nga mirëkuptimi thuajse perfekt që pamë të gjithë për emrin e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, apo për fashitjen e menjëhershme të akuzave që inicioi shumica në pushtet për shefin e shërbimeve sekrete, pas atij që u tentua të quhej si “skandal i përgjimeve”. Çështja e ditës mes dy përfaqësuesve të institucioneve në fjalë është kandidati për ambasador, Visar Zhiti, çështje pas së cilës mbulohen shumë përplasje të tjera. Një nga të cilat, me siguri drafti i z. Nasip Naço, që propozon zhveshjen e Presidentit nga shumë kompetenca në raport me sistemin gjyqësor, kapja, reformimi, apo çfarë të duam le ta quajmë, i të cilit është objektivi kryesor. Teknikisht, ishte mesazhi i kryeministrit, sipas të cilit “Presidenti po e ridënon Visar Zhitin”, që ndezi debatin. Kreu i shtetit ka kthyer përgjigje po në “Facebook” me një status të gjatë: “Fjalët e fryra të Kryeministrit janë tullumbace sapuni pa asnjë peshë që plasin dhe zhduken nga prekja më e lehtë me cilindo argument. Kryeministri nuk e di, ose bën sikur nuk e di, se Visar Zhiti nuk është nga poetët "e rrallë" të burgosur të diktaturës, por njëri prej tyre. Vetë Visar Zhitit i vjen turp nga cilësimi "i rrallë'. Po, Visar Zhiti nuk ka shpifur për askënd. Për Visar Zhitin kanë shpifur pafund shëmbëlltyrat e barrikadës sigurimiste që ndikojnë sot vendim-marrjen.
Visar Zhiti është i propozuar prej Kryeministrit për ambasador në Vatikan pa kushtin themelor, ligjor procedurial, të thënë, të njohur, të shpallur dhe të përsëritur; Konsultimin paraprak me Presidentn e Republikës.
 Kryeministri nuk e di se në tryezën e Presidentit asgjë dhe askurrë nuk është thjesht "për firmë"...Kryeministri duhet ta mësojë një herë e përgjithmonë se dekretimi apo mos-dekretimi i ambasadorëve, është e drejtë ligjore e patjetërsueshme e Presidentit të Republikës.
 Visar Zhitin nuk po e ridënon Presidenti.
 Visar Zhitin po e turpëron dhe riturpëron, dënon dhe ridënon Kryeministri përmes një kurthi duke e kandiduar jashtë procedurave në pritje të refuzimit.
 Për Visar Zhitin nuk është ridënim të mos e bësh ambasador.
 Për Visar Zhitin është ridënim ta përdorësh për politikë…”, shkruan Presidenti. Një koment të cilit nuk i mungojnë konsideratat personale politike për kryeministrin, çka nuk i shkon pozicionit, rolit dhe asaj që pritet nga Presidenti. Këtu do kujtuar një aspekt që mbase nuk është përmendur: ligji shqiptar, parashikon që kandidatët për ambasador presin për agreement-in(miratimin e vendit pritës) pas dekretimit nga Presidenti. Pra edhe sikur Bujar Nishani të dekretonte Visar Zhitin, kjo firmë nuk do të thotë se Vatikani e ka pranuar tanimë kandidatin, por rezervon të drejtën e refuzimit. Ky sqarim, meqenëse presidenti shkruan për “refuzim” në komentin e vet, por edhe sepse, si kandidati Zhiti, ashtu edhe kryeministri sot, janë shprehur se “Vatikani nuk e kundërshton Visar Zhitin”.
s.z

Comments

Submitted by Tirana (not verified) on

<p>Po thuaj qe nuk do te heqesh nga puna motren e Frangajt dhe leri denglat aty...derr-verr...je kryetar shteti o JAROOO !!</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.