Partosh dhe Fisher për emigrimin: “Pasojë e ekonomisë, por edhe mundësi e lëvizjes së lirë”

Gabriel Partosh, analist në “The Economist Intelligence Unit” në Londër” dhe Bern Fisher, historian, të dy të njohur në Shqipëri, kanë dhënë sot disa mendime për eksodin e shqiptarëve. Sipas analistit Partosh, situata nuk duhet dramatizuar dhe se asaj i do dhënë përmasa e duhur. “Unë mendoj se kjo është duke u perceptuar si diçka negative, duke u komentuar se lidhet me mos rritje të mjaftueshme të ekonomisë, siç shumë njerëz do të dëshironin. Do të doja ta shikoj këtë në një këndvështrim më të gjerë. Shqipëria nuk është një vend anëtar i BE-së që mund të eksportojë krah të lirë pune. Ne shohim se vendet ish-komuniste të Europës Lindore tashmë anëtare të unionit, të cilat vlerësohen me demokraci të stabilizuar dhe ekonomi të shëndetëshme, me mijëra qytetarë nga këto vende emigrojnë në Angli dhe Gjermani. Do ta quaja një fenomen normal pasi njerëzit lëvizin në ato vende ku ka punë, standarde të larta jetese mbi të gjitha, mundësi më të mëdha. Këtu nuk kemi asgjë të jashtëzakonshme, por natyrisht në Shqipëri pas zhvillimeve në vitet ‘90-të kemi parë nje valë të tmerrshme largimi njerëzish që kalonin Adriatikun. Tani kjo shihet nën një dritë negative, por dua ta theksoj është diçka normale e cila do të vazhdojë të ndodhë për aq kohë sa njerëzit janë të lirë dhe këtu Shqipëria është prej atyre vendeve me të drejtë lëvizje të lirë e pa viza, e bën lëvizjen shumë më të lehtë. Të gjesh punë në Perëndim tani është më e lehtë sesa shumë vite më parë”, thotë Partosh. Për Fisher, ikja vërtet lidhet me situatën ekonomike, por ajo reflekton akumulimin e problemeve të disa viteve. “Natyrisht është diçka shqetësuese. Kam parë shifrat në të shkuarën të cilat sugjerojnë se emigracioni ka ekzistuar gjatë një periudhe të gjatë. Nëse e mbaj mend mirë do të thosha se shifrat vitet e fundit janë ulur dhe tani janë rritur përsëri. E shikoj si vijimin e pafuqisë së shtetit në krijimin e një sistemi ekonomik dhe që njerëzit të jetojnë një jetë normale”, tha ai.
http://www.top-channel.tv/mobile/artikull.php?id=297661
s.z
Add new comment