Përplasje me armë në Bushat të Shkodrës; 1 e vdekur dhe 2 të plagosur

Një sherr mes dy grupeve në barin e një hoteli në fshatin Bushat të Shkodrës ka përfunduar me një vajzë të vrarë dhe dy të rinj të plagosur me armë zjarri. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në lokalin “Argenti”, në zonën e quajtur Kryebushat. Sipas dëshmitarëve, në lokalin me muzikë ‘live’ ka ndodhur fillimisht një sherr verbal e më pas një përleshje fizike. Një çift ka dashur të largohet, por është ndjekur jashtë lokalit dhe është qëlluar me armë zjarri tip Kallashnikov. Për pasojë ka mbetur e vrarë vajza E. T rreth 19 vjeç. Ndërkohë janë plagosur me armë zjarri dy persona, një sportist me emrin P.K, 30 vjeç nga fshati Naraç i Shkodrës dhe S.A, 56 vjeç nga fshati Bërdicë. Sipas dëshmitarëve, në vendngjarje ka pasur një shkëmbim zjarri me armë dhe për pasojë automjeti tip “BMW” është përshkuar nga plumbat. Policia ka shoqëruar të gjithë personat që ndodheshin në lokal në atë orë, përfshirë edhe personelin e tij. Ndërkohë, janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të lokalit, përmes të cilave janë identifikuar personat e përfshirë në konflikt, të cilët janë shpallur në kërkim.
Add new comment