Nuk merret vesh politika e jashtme e Shqipërisë dhe e Kosovës; kërkohet hetim ndërkombëtar për Kumanovën, nga ana tjetër të vrarët quhen dëshmorë

Tahir Muhedini, deputet i PDIU-së që sapo ka hyrë në pushtet me mazhorancën, shkruan sot për ngjarjet e Kumanovës. Muhedini bën një hyrje që e mendon gati si sentimentale; flet për popullsinë çame, sidomos për pronat e saj, cilëson genocid aktet e Napelon Zervës dhe kalon mandej me këtë paralelizëm te Nikolla Gruevski. Në të dyja rastet shqiptarët janë viktima dhe armiqtë janë shtetet ortodokse që na rrethojnë. “Ne jemi dëshmia e një padrejtësie historike që ka mbetur edhe si një patate e nxehtë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Prandaj edhe ne e kuptojmë dhe e mirëkuptojmë plotësisht popullatën shqiptare të Maqedonisë. Ne jemi sot aty me vëllezërit dhe motrat tona të Kumanovës, sepse nuk duam që historia të përsëritet”, shkruan Muhedini. Mirëpo teksa u radhit rreshta gazete me lavde, deputeti ndryshon kurs kur kërkon hetim ndërkombëtar. “Ndaj edhe kjo marrëzi duhet ndalur. Që Nikolla Gruevski të mos bëhet Napoleon Zerva apo Millosheviçi, për shqiptarët e Maqedonisë, duhet një ndërhyrje energjike nga Tirana dhe Prishtina zyrtare. Është domosdoshmëri një hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës, sepse vetëm kështu mund të ndalen skenarë të tjerë të inskenuar nga mendje djallëzore që duan pushtet mbi gjakun e të pafajshmëve. Paqja në Ballkan është e rrezikuar jo për shkak të shqiptarëve, por për shkak të mendjeve të çartura që duan pushtet mbi gjakun e të pafajshmëve”, thotë Muhedini. Në këtë kontradiktë kapet politika e jashtme e Shqipërisë dhe e Kosovës, shtete të cilat teksa apelojnë për hetim ndërkombëtar, pra nuk marrin pozicion mbi vërtetësinë e ngjarjeve, në përditmëri u lejojnë përfaqësuesve të tyre që të shkruajnë të vërtetën e vet, se ata që ranë në Kumanovë janë njerëz të idealit. Këtë bën edhe një zyrta i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, sipas të cilit “shqiptarët e Kosovës të vrarë në Kumanovë, meritojnë nderim kombëtar, sepse dhanë jetën për një ideal”.Të kthehemi pak në kohë kur në Kosovë diskutohej për ligjin e veteranëve të luftës; me këtë ligj, Kosova nuk e njohu kontributin e FARK-ut, pra atë aktivitete të veprimtarëve të forcës së organizuar nga LDK-ja duke hedhur poshtë pretendimet e partisë së Ibrahim Rugovës. Kush i shpallka pra dëshmorët dhe heronjtë, të cilët politika shqiptare i do për koniunkturë? Nëse këta në Kumanovë qenkan dëshmorë, për çfarë na duhet hetimi ndërkombëtar apo zotimi për integrimin? O burra pas Anton Qunit dhe Tahir Muhdeinit të çlirojmë Maqedoninë! Pak ditë më parë në median e shkruar u shfaq me penë cinike, me ton prej pamfletisti edhe Sandër Lleshi, gjeneral, këshilltar i kryeministrit, i cili e cilësonte Maqedoninë si Fyroma, pra në fundin e vet, duke marrë një pozicion prej shqiptari të acaruar. Të gjitha këto prezantime që përcjellin mesazhe kundërthënëse, në kulmin e të cilave qëndron mesazhi i Erdoganit nga Tirana, i nxjerrin lakuriq dy “shtetet” me popullsi shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën, të cilat po luajnë një lojë që është më e madhe se to dhe që kërkon të marrë në pyetje një histori të vështirë shtetformimi. Histori e cila na mëson se Shqipëria, por edhe Kosova, janë këtu ku janë falë vendimeve të aktorëve të tjerë dhe jo për shkak të dëshmorëve, edhe atyre të vërtetëve. Të ngresh e të ulësh flamurin është kollaj, por kjo demagogji me patriotizma, e ka çuar Shqipërinë në derexhenë ku një kryeministër tallet me një popull të tërë, kur flet për rilindje në oborrin e rrënimit, apo kur bën fushatë me barsaleta dhe me shkeje syri dhe nga ana tjetër ul kokën e nuk pipëtin kur miku, ose vëllai i bujt në shtëpi, i thotë çfarë të dojë dhe ikën pa qeder.
s.z
Add new comment