Nuk kriposën rrugët, arrestohet zyrtarë dhe punonjësit e një kompanie. Premçi: Firmat e mirëmbajtjes së rrugëve kanë përgjegjësi

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Shemsi Premçi akuzon kompanitë e mirëmbajtjes së Rrugëve për situatën problematike të krijuar ditët e fundit. Sipas Premçit, edhe pse ishin në dijeni të situatës, kompanitë private nuk kanë marrë masa për të siguruar sasinë e nevojshme të kripës apo të lëndëve të tjera të nevojshme për zhbllokimin e rrugëve nga bora apo akulli.
“Duhet ndërhyrë me forcë që t’u kërkohet përgjegjësi kompanive private që nuk e kanë vlerësuar situatën dhe pse ishin paralajmëruar nga drejtoritë e shërbimit meteorologjik dhe drejtoria e Emergjencave Civile” tha kreu i Emergjencave Civile për “Vizion Plus”. Ndërkohë, 4 persona mes tyre edhe 2 zyrtarë të drejtorisë së rajonit juglindor të vendit u arrestuan nga policia, pasi abuzuan me fondet për mirëmbajtjen e rrugëve duke shkaktuar bllokimin e tyre.
Një shoqëri private, edhe pse përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe pastrimin nga dëbora të aksit rrugor Qafë Thanë –Pogradec, sipas policisë nuk ka zbatuar kontratën e lidhur me drejtorinë e rajonit rrugor duke mos kriposur këtë aks i cili mbeti i bllokuar në datat 29 dhe 30 dhjetor. Hetuesit thanë se kjo është bërë me qëllim për përvetësimin e pagesave pa kryer punimet sipas kontratës.
http://vizionplus.al/premci-firmat-e-mirembajtjes-se-rrugeve-kane-pergjegjesi/
n.k
Add new comment