Një votim pa alternativa

Postuar në 20 Qershor, 2015 13:15

Qytetarët shqiptarë i drejtohen nesër kutive të votimit për pushtetin vendor, i cili për shkak të ndryshimeve në hartën territoriale, i jep këtij procesi një ngarkesë tjetër. Njësitë vendore që nga 21 qershori do të jenë me supërfaqe shumë më të madhe, duke shtruar kështu rrugën e formalizimit të ristrukturimit demografik të 25 viteve të fundit. Për këtë arsye, por jo vetëm, pyetja sesi do të ndikojë ky ndryshim në menaxhimin e njësive të reja është legjitime dhe shumë e rëndësishme. Për atë që jeton diku në një fshat të Vlorës apo Shkodrës raporti me “zyrën” ndërron distancë, por edhe vlera komerciale e votës së tij merr tjetër kuptim. Por në parim vendit i intereson të dijë se ka në krye një klasë politike dhe qeverisëse që është në gjendje të reagojë si duhet ndaj këtij ndryshimi që e ka kërkuar vetë. Vjen këtu në vështrim nevoja e një bilanci qeverisës në këto dy vjet e gjysmë, sa kohë që dy drejtuesit kryesorë, Edi Rama dhe Ilir Meta po flasin për modele zhvillimi, apo për drejtimin e duhur.
Bilanci i qeverisë mund të vlerësohet në raport me premtimet e bëra në fushatë; këtu jemi në terrenin e dështimit dhe të mashtrimit. Premtime me natyrë social-ekonomike si ulja e TVSH-së për energjinë dhe mallrat e shportës janë tashmë një barcaletë. Sipas statistikave zyrtare çmimet janë rritur dhe për pasojë edhe kostoja e jetesës. Një arsye kjo që shpjegon largimet në masë të shqiptarëve. Premtimi për të rishikuar të gjitha koncesionet e qeverisë “Berisha”, të shpallura a priori si të pambështetura në ligj, janë lënë në harresë. Tërheqja me marrëveshje nga çështja “Rapiscan”, është vetëm një nga episodet sesi shqiptarët zhvaten me firmën e qeverisë së tyre. Nga ana e vet, qeveria në fuqi, miraton në parim nisma të partneritetit privat publik dhe koncesione, të cilat nuk kanë kaluar pa pikëpyetje në mënyrën e realizimit. Financat janë një tjetër pikë e dobët e kësaj mazhorance. Nisi me bujë të madhe apeli për disiplinim të financave dhe dhënie fund të abuzimit, u përshëndet ardhja e FMN-së dhe ndryshimi i taksimit. Por sot jemi në kushtet kur të ardhurat e parealizuara janë diku te 150 milionë euro, pa ndonjë shpjegim konkret se përse ka ndodhur kjo gjë.
Qeveria ka dështuar plotësisht në thithjen e investimeve të huaja. Pjesëmarrja në Konferencën e Berlinit, apo informacionet për financime nga Turqia, mbeten thjesht thashetheme, apo projekte ende të pazbatuara.
Në çështjet e rendit publik, përveç aksionit ndaj Lazaratit, qytetarët përballen me të njëjtën klimë si më parë; mjafton për këtë si raportimet e incidenteve nga punonjës të policisë, ashtu edhe vrasjet e bujshme.
Korrupsioni, një plagë e vërtetë, është po aq flagrant dhe prezent si më parë. Por korrupsioni dhe lufta ndaj tij lidhet pazgjidhshmërisht me transparencën. Vetëm sot, mediat gjermane kanë publikuar ankesat e kompanisë gjermane në Durrës, ndaj së cilës ka presion për dhënie rryshfeti. Heshtja e qeverisë për këto tema me siguri që na sugjeron ta kërkojmë shpejgimin, apo pse jo edhe ngushëllimin, tek ideja e “drejtorëve që po na nxjerrin bojën”. Dhe jo te fakti se ai është simptomatik i sistemit që qëndron ende në këmbë.
Arsimi mund të quhet tullumbacja më e madhe e Rilindjes. Aq sa së fundmi ka edhe një peticion kundër asaj që quhet reformë.
Integrimi, si një nga objektivat strategjikë të Shqipërisë është një proces në frenim. Arsyet për këtë mund të kërkohen edhe në situatën ndërkombëtare, por dalja në sipërfaqe e temës së dekriminalizimit, është një goditje e fortë për aspiratën e Shqipërisë. Në vendimmarrje sot janë ulur njerëz me të shkuar kriminale, njerëz me logjistikë dhe mbështetje ekonomike të dyshimtë, të cilët e “kanë grurë” me “vizionarët” e ndryshimit.
Të gjitha këto arsye, dhe të tjera sigurisht, janë një arsye e stanjacionit të vendit, i cili ndodhet në kurthin e nevojës për dalje nga kriza dhe faktit se alternativat janë të kufizuara. Në mos inekzistente.
Opozita e sotme parlamentare është padyshim viktimë e qeverisjes së djeshme, e funksionit të partisë kryesore të saj si aset personal i një njeriu dhe enturazhit të tij. Opozita e sotme, sidoms PD-ja, konkuron me shumicën vetëm me historinë e qeverisjes së saj, nga e problemet e së cilës nuk është shkëputur. Ajo po kërkon të mbetet në lojë duke shërbyer një histori suksesi, e padiskredituar pikërisht për shkak të dështimit spektakolar të socialistëve, i cili ironikisht ka nxitur amnezinë relative për atë që ndodhte para 2013-ës. Janë dy dështime që riprodhojnë njëri tjetrin dhe po e bllokojnë zhvillimin e ideve të tjera. Në këtë kuptim, kokfortësia e ekipit drejtues të PD-së është një pragmatizëm për mbijetesë në kushtet e një pakënaqësie në rritje ndaj qeverisë aktuale. Pikërisht se është kështu, duket qartë se opozita e tanishme nuk po lodhet realisht për ndonjë fitore.
Çelësi për të kuptuar prirjen është pjesëmarrja në zgjedhje, sa kohë alternativat tradicionale janë në kufijtë e një diskreditimi publik.
Re.po

Comments

Submitted by realisti (not verified) on

<p>i dashur Re.po., keto rreshtat qe ke shkruar nuk jane re.po.rtim, por opinion. ne kohen kur kete portal e kishte much nano, opinionet publikoheshin tek kolona e opinioneve me emer e me mbiemer, dhe i zoti i tyre u dilte zot. tani nuk dime kujt t&#39;i bejme koment per rreshtat qe jane publikuar ne menyre anonime tek kolona news,&nbsp;por qe&nbsp;i takojne kolones opinion...</p><p>mos e perdhosni kete faqe simpatike qe e nisi bukur much nano...&nbsp;</p>

Submitted by szaimi (not verified) on

Re. Po eshte shkurtim per Redaksia e Politikes. "Perdhos" me duket fjale jo shume goditur gjithsesi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.