Një përkthim shqip i “arabishtes” së Fullanit

Në një lajm të djeshëm të Top Channel-it (të riprodhuar në respublica.al; http://www.respublica.al/artikuj/2012/7/12/kriza-fullani-i-ben-apel-be-se ) jepeshin citime të gjata nga një kumtesë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, mbajtur në një konferencë të nivelit të lartë të zhvilluar me rastin e 20-vjetorit të institutit “Joint Vienna”. Për dikë që nuk e njeh mirë zhargonin e bankierëve, shqipja e Fullanit mund të jetë dukur si arabisht. Për këtë arsye, më poshtë mund të gjeni një përkthim të shqipes së Fullanit në një shqipe me të thjeshtë.
Fjalët e Fullanit përkëthehen pak a shumë kështu: “Si rezultat i zbatimit të rregullores së Autoritetit Bankar Europian, një nga bankat e huaja që operon në Shqipëri (Fullani nuk ia përmendi emrin, por e ka fjalën për bankën më të madhe në Shqipëri, Raifessien Bank) e ka pakësuar blerjen e bonove të thesarit shqiptar brenda një tremujori me rreth 41 miliardë lekë (rreth 378 milionë dollarë). Dhe ky veprim e ka vënë në vështirësi të madhe Ministrinë e Financave, së cilës i duhet të shesë bono thesari për të mbushur gropat e buxhetit të shtetit. Kjo vështirësi në marrjen e huasë së brendshme nga qeveria është reflektuar në rritjen e interesave të borxhit publik, pra të kostos së tij. Ndërkohë, kjo bankë (Raifessien Bank) jo vetëm që ka shkurtuar fort huadhënien për qeverinë, por nuk ka shtuar as kreditimin e sektorit privat."
Në fund, Guvernatori Fullani u bëri thirrje të pranishmëve që t’i bëjnë thirrje Autoritetit Bankar Europian, që ta lejojnë Raifessien Bank-ën, që t’i japë më shumë borxh qeverisë shqiptare.
E.Zaloshnja
Add new comment