Një arrest absurd që solli një tragjedi! Sipas “reporter.al”, i burgosuri që u vetëvar nuk rezulton të jetë përfitues nga “vjedhja” e energjisë elektrike

Postuar në 28 Dhjetor, 2014 12:25

Ngjarja e ndodhur në burgun e Rrogozhinës ku një i arrestuar për “vjedhje energjie” vari veten ka shtyrë median të gërmojë më tej rreth ngjarjes. Faktet që dalin në dritë të lënë të kuptosh se në këtë rast kemi të bëjmë me një situatë absurde. Në një shkrim të publikuar në “reporter.al” gazetari Gjergj Erebara shkruan se personi i vetëvrarë, rezulton se është arrestuar me argumentin se kishte lidhur dy dyqanet e tij me sahatin e familjes së tij. “Sipas policit që kreu arrestimin e këtij krimineli, ai kryen “vjedhje” për shkak se energjia që i faturohet biznesit, është më e shtrenjtë se sa ajo që i faturohet familjeve. Ky është një konkluzion jo shumë i qartë matematikor” shkruan Erebara, i cili ka bërë përllogaritjet, nga të cilat rezulton që shtetasi i arrestuar, jo vetëm që e paguante energjinë, por edhe më shtrenjtë sesa mund ta paguante nëse do të faturohej si biznes!

“Për energjinë e konsumuar nga dy bizneset e tij, të cilat qenë, një fast food dhe një sallë interneti në qytetin e Lushnjës, i ndjeri duhej të paguante 12.2 lekë për kWh energji elektrike të konsumuar. Ndërsa si familjar, duket se ka paguar 7.7 lekë për kWh për 300 kWh-të e para dhe 13.5 lekë për kWh për konsumin mbi 300 kWh. Duke supozuar se 300 kWh është konsumi normal i familjes së të ndjerit ndërsa pjesa tjetër është konsumi i dyqaneve, atëherë ka gjasa që në fakt, Qamili duhej të futej në burg pse ka paguar më shtrenjtë energjinë elektrike dhe jo më lirë. Ai ka paguar 13.5 lekë për kWh në vend që të paguante 12.2 lekë. Shkurt, logjika e përfitimit të tij përmes lidhjes së energjisë nga sahati i familjes së vet te bizneset e veta “për të paguar më lirë”, siç ka konkluduar polici që e arrestoi, nuk është shumë e fortë” vijon artikulli.

E në fund, gazetari e mbyll artikullin duke evidentuar se “me logjikën e arrestimit të Qamil Zelës, çdo pronar apartamenti në Tiranë që aktualisht është dhënë me qira për zyrë dhe çdo qiramarrës për zyrë i një apartamenti duhet të shpallet hajdut pasi përdor energji “biznesi” me kontratë familjeje”.

Artikulli i plotë: http://www.reporter.al/nje-arrest-absurd-qe-solli-nje-tragjedi/

n.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.