Ngjela: “4 paradokset…”, historia po përsëritet

Politikani dhe avokati Spartak Ngjela ashpërson kritikat ndaj qeverisjes dhe parashikon se nëse do të vijohet në këtë rrugë, viti 2015 do të jetë “katastrofal”. Në rrjetin social “Facebook”, Ngjela shkruan se zgjidhja duhet të shihet në nisjen e negociatave me Bashkimin Europian ndërsa "ndihmën kineze" e cilëson të ngjashme me paradoksin e socializmit hoxhist. Sipas avokatit, qeveria po shkon në përplasje të pashmangshme me shqiptarët e papunë.
“Në vitin 1991 m'u desh të shkruaja katër paradokset e sistemit hoxhist në Shqipëri; të cilat ishin këto: 1. Të gjithë kanë punë, asnjë s'punon. 2. Asnjë s'punon, planet realizohen. 3. Planet realizohen, tregu është bosh. 4. Tregu është bosh, asnjë nuk vdes nga uria…Ky ishte socializmi shqiptar i Enver Hoxhës. Por historia sikur po përsëritet.
Po shoh që edhe aktualiteti, njëlloj si njëzetë vjetët e fundit, ka hyrë në paradokset e tij. Dhe fundi është po ai: kudo ka suksese të qeverisë, por shqiptarët po shkojnë drejt urisë, dhe po tremben e duan të lenë Shqipërinë. Kush nuk e sheh këtë si qeveritar, ose ështrë naiv, ose është delirant, ose është i dominuar nga ligësia kundër popullit të vet. Gjithsesi; gjendja duhet të ndryshojë, se, në të kundërt, viti 2015 do të jetë katastrofal për mirëqënien apo ecurinë normale të jetës së shqiptarëve ne Shqipëri. Po si do të ndryshojë? Me këtë politikë? Kurrë. Po nuk u gjet rruga për të filluar negociatat me Bashkimin Europian, kjo qeveri është drejt falimentit të saj në përplasje të pashmangshme me shqiptarët e papunë e të pashpresë. Naiviteti i “ndihmës kineze” është njëlloj si katër paradokset e hoxhizmit që përmenda më lart” shkruan Ngjela.
n.k
Add new comment