Naxhi Bakallit s’i mbushet mendja nga bocetet finaliste: Janë skulptura minimaliste

Piktori i njohur Naxhi Bakalli tregohet i pamëshirshëm me pesë bocetet finaliste të zgjedhura nga juria për monumentin e 100 vjetorit të pavarësisë, të cilit nuk i njihet ende vendi ku do të ngrihet (në foton që shoqëron këtë shënim është njëri nga bocetet). Ai thotë për Shqipin se ato, që të pesta, janë skulptura minimaliste, të cilat “nuk e përcjellin një ide të saktë mbi problematikën që është marrë përsipër të zgjidhet, nuk përfaqësojnë ashtu si duhet evenimentin historik dhe kulturor, dhe frazën e Deklaratës së Pavarësisë se ‘Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e mosvarme’”.
“Mua më duken relativisht të konsumuara vepra të tilla të një minimalizmi në skulpturë. Për këtë të ashtuquajtur minimalizëm kulturor, nuk gjej përkthim të idesë që bart evenimenti në formë. Në qoftë se ndonjë ka tentuar, siç është rasti i dy artistëve Blerta Xhomo dhe Ilirian Shima (stilizimi i shqiponjës), edhe këtu [vepra] nuk është në pjekurinë e plotë. Pse jo, një variant i dytë, i tretë e i katërt, mund ta çonte në një zgjidhje me një emërtim të caktuar. Të emërtohej vërtet një skulpturë e bërë enkas për një eveniment që ka ndodhur në Shqipëri dhe askund tjetër”, thotë ai, duke veçuar disi njërin nga bocetet.
E.G.
Add new comment