Nafta, kryeministri premton kontrata të reja vetëm me firma të njohura. Fakti: Në nëntor 2014, u firmos marrëveshja e dytë me “Bankers” për “eliminimin e efekteve për shkak të Ndryshimeve Fiskale”

Sot kryeministri shqiptar doli dhe foli edhe për Marinzën e Fierit, ku prej disa ditësh është krijuar një situatë e rëndë pas shpërthimit në dy puse që shfrytëzohen nga kompania “Bankers Petroleum”. Kryeministri ka lënë të kuptohet për detyrime të papaguara të kompanisë dhe ka paralajmëruar se në të ardhmen kontratat për shfrytëzimin e hidrokarbureve do të bëhen me firma të njohura dhe të panjollosura dhe jo me kompani fantazmë. Kjo e fundit mund të lidhet edhe me të dhënat e fundit që janë publikuar në media, që flasin se kompania në fjalë është e regjistruar në ishujt Kajman. Madje sot “Vizion Plus”, raporton edhe kontratën mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë, kontratë e cila zë fill në vitin 2004. Kontrata përcakton detyrimet e kompanisë në raste emergjencash, por parashikon edhe favorizim fiskal. Mediat raportojnë edhe një element: “Në vitin 2004 me anë të këtij vendimi gjykate, kompania “Saxon” u regjistrua në Shqipëri, në një kohë që dega qendrore e saj ndodhej në ishujt Caiman. Më pas në vitin 2006, emri i saj u ndryshua në “Bankers Petroleum”, ku njësia qendrore e saj tashmë rezulton të jetë në Kanada”. Mirëpo pse vallë kryeministri shqiptar kujtohet tani të flasë për kompani fantazmë, duke vënë hapur nën akuzë “Bankers?” Me të ndodhur aksidenti, përfaqësues të PS-së, me Erjon Braçen në krye shpërthyen në media me akuza për përfitime, apo edhe me të dhëna për kompaninë dhe historikun e saj. U kërkua dëmshpërblimi i banorëve 100%, çka mesa duket nuk është pranuar nga kompania. Mirëpo ajo që thotë kryeministri nuk është edhe aq e vërtetë. Kjo vërtetohet nga fakti se në nëntor të vitit 2014, qeveria aktuale ka nënshkruar “Marrëveshjen e dytë ndryshuese, ndërmjet "Albpetrol", sh.a.-së, dhe Bankers Petroleum Albania, Ltd, për marrëveshjen hidrokarbure të datës 19 qershor 2004, miratuar me vendimin nr. 477, datë 16.7.2004, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e marrëveshjes për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e Patos-Marinzës". Pjesë të kësaj marrëveshjeje zbulojnë qëndrimin e qeverisë shqiptare: “1.1 Objekti i kësaj Marrëveshjeje të Dytë Ndryshuese është eliminimi i efekteve ekonomike negative të shkaktuara ndaj Kontraktorit për shkak të Ndryshimeve Fiskale AKQ”, thuhet që në pikën e parë, duke bërë të ditur se ekzekutivi i tanishëm ka dhënë dakordësinë për të reflektuar në raport me kompaninë efektet e ndryshimeve ligjore për taksat. Në asnjë pikë të kësaj marrëveshjeje të dytë nuk flitet, apo nuk rishikohen detyrimet e kompanisë në raste emergjencashh(http://80.78.70.231/pls/kuv/f?p=201:Vendim%20i%20KM:726:02.1...). Dhe duket se mosreagimi i kompanisë në rehabilitimin e zonës, mund të hamendësohet si një arsye që i ka dhënë shtysë fërkimeve të tanishme dhe nisjes së procesit hetimor nga qeveria. Një fakt i dytë që dëshmon për pasinqeritetin e qeverisë është edhe samiti i gazit, zhvilluar në Tiranë, sponsor kryesor i së cilës ishte pikërisht “Bankers ltd” dhe ku kryeministri aktual mbajti edhe një fjalë të vetën(http://www.albaniasummit.com).
s.z
Add new comment