Mustafa i quan “dyfytyrësh” AAK-në, VV-në dhe Nismën: “Ishin të gatshëm t’ia dorëzonin Trepçën kreditorëve serbë e grekë”

Postuar në 25 Janar, 2015 05:17

Pas kërkesës për dorëheqje që i erdhi nga sheshi para godinës së qeverisë, kryeministri Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur ish-aleatëve të dikurshëm të bllokut opozitar duke i cilësuar ata si “dyfytyrësh”.  Sipas tij, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të Vetëvendosjes dhe ata të Nismës, të cilët organizuan dhe mbështetën protestën e djeshme që u përshkallëzua në akte dhune, më parë kanë votuar për likuidimin e Trepçës dhe se ishin të gatshëm që atë t’ua falnin kreditorëve nga Serbia dhe Greqia.

“Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma, më 19 janar 2015 votuan kundër ndryshimit të ligjit, i cili duhej të nxirrej në momentet e fundit në Kuvend, për të pamundësuar një vendim gjykate e cila e qonte Trepçën në likuidim. Këta që dje thërrisnin Trepça është e jona dhe bartnin pankarta, atë ditë ishin të gatshëm që Trepçën t’ua dorëzonin kreditorëve, të cilët janë nga Serbia e Greqia, shqiptarë e serbë të korruptuar dhe me dokumente të dyshimta. Kjo është e vërteta jonë për Trepçën në këto momente dhe dyfytyrësia jonë”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.

n.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.