Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni, thotë se rreth 300 kosovarë kanë shkuar në luftrat e Irakut dhe të Sirisë

Skënder Hyseni, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, ka shprehur bindjen se Kosova do që të bëhet pjesë e arkitekturës globale në luftën kundër ekstremizimit të dhunshëm dhe se ajo është zotuar për të kontribuuar me resurse humane dhe financiare në luftën kundër terrorizmit. Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, Hyseni tha se ka ofruar në kuadrin e takimit, detaje nga përgatitjet dhe korniza ligjore që ofron Kosova në luftën kundër terrorizimit. Ai mori pjesë në takimin tre-ditor të organizuar nga Shtëpia e Bardhë mbi përpjekjet për t’iu kundërvënë ekstremizmit të dhunshëm. Hyseni tha se rezultati i Samitit të Washingtonit është se në fund të fundit, bota e ka kuptuar se ka një konsensus global se fenomeni i ekstremizimit nuk le asnjë vend të botës pa prekur. Ai tha se në luftërat e Irakut dhe të Sirisë kanë shkuar rreth 300 shtetas të Kosovës, ndërkohë që janë arrestuar 150 vetë: luftëtarë, nxitës dhe rekrutues të ushtarëve për në luftërat e huaja. Ministri Hyseni tha se Kosova do të bashkëpunojë për shkëmbimin e informacionit me SHBA, me Interpolin dhe Europolin. Por shtoi ai, Kosova do ta kishte shumë më të lehtë bashkëpunimin, në se do të ishte anëtare e plotë e Interpolit, e Eurpolit dhe organizmave të tjera ndërkombëtare të policisë dhe sigurisë.
l.v
Add new comment