M. i Brendshëm kujton parimin e ndarjes së pushteteve për Gërdecin. Pyetje: A duhet të nisë prokuroria hetim kryesisht nisur nga akuzat e tij, njësoj si në rastin “Doshi”?

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahir, i është kthyer sot “Facebook” për të postuar një shqetësim të tijin për ngjarjen e Gërdecit. “Sot është një ndër ditët më të zeza e të turpshme për drejtësinë. Një biznes i lidhur me majën e pushtetit dhe zemrën e familjes së ish KM. Fëmijë, gra e burra të vrarë nga babzia për fitim. Vite dënim më pak se numri i jetëve të humbura. Ish Ministri Mbrojtjes vijon të mos gjykohet sepse rifitoi mandatin e deputetit, dmth imunitetin. Skandal që vazhdon, deri në kufijtë e mosveprimit kriminal nga drejtësia. I biri i ish KM nuk u pyet kurrë, as edhe një herë të vetme. Ish Ministri i Drejtësisë dhe një deputet tjetër që i shërbenin ‘kopsitjes’ së letrave, nuk u pyetën kurrë. Sot këta janë të lirë, pa ndjer peshën e drejtësisë e as peshën e turpit publik. Ndaj është ndër ditët më të zeza e të turpshme për drejtësinë.
Kush mendon që edhe kjo është përgjegjësi e maxhorancës, le të kuptojë se është vetëm Prokuroria dhe Gjykata që mund të veproje për këtë cështje. Reforma në drejtësi është angazhim i maxhorancës, e kjo po ndodh me shpejtësi, që të tilla gjëra të mos ndodhin kurrë në të ardhmen”, shkruan Tahiri. Nëse lexojmë drejt ministri na kujton se në Shqipëri funksionon parimi i ndarjes së pushteteve. Por a mund të vlejë ky pohim diçka më shumë sesa një tallje me qytetarët? Le të marrim rastin e fundit, pra çështjen “Doshi”. Prokuroria nisi hetimin kryesisht pas deklaratave publike të z. Doshi. Shumë mirë. Ja se çfarë në thotë ministri i Brendshëm: “Ish Ministri Mbrojtjes vijon të mos gjykohet sepse rifitoi mandatin e deputetit, dmth imunitetin. Skandal që vazhdon, deri në kufijtë e mosveprimit kriminal nga drejtësia. I biri i ish KM nuk u pyet kurrë, as edhe një herë të vetme. Ish Ministri i Drejtësisë dhe një deputet tjetër që i shërbenin ‘kopsitjes’ së letrave, nuk u pyetën kurrë”. Pse vallë prokuroria nuk nis hetimin kryesisht nisur nga këto deklarata? A di gjë ky ministër për këtë çështje për të cilën, me aq sa shkruan në FCB, do të dihet të thirret dëshmitar? E vërteta është se postime të tilla, pas fjalëve turp për drejtësinë, fshehin lojën “me të ngecur” që ka kohë që zhvillohet në Shqipëri. Për të mos thënë që duan të largojnë vëmendjen nga sëkëlldia që jep çështja “Doshi”.
Add new comment