Libër për Majkëll Xhekson: Dy vitet e fundit të jetës së Mbretit të Popit.

Postuar në 11 Qershor, 2014 13:05

Gjatë dy viteve të fundit të jetës së tij, 24 orë në ditë, pranë Majkëll Xheksonit qëndruan dy burra. Ata ishin truprojat e tij, Bill Whitfield dhe Javon Beard, të cilët deklarojnë se kanë parë gjithçka, kanë ditur gjithçka dhe kanë qenë aq besnikë ndaj superyllit të popit, që e quanin “Zoti Xhekson”, saqë qëndruan me të deri në fund, kur financat e tij ishin dëmtuar.

Akuzat për pedofili

Majkëlli u largua nga streha e tij në Neverland të Kalifornisë, pas gjyqit për abuzim seksual në vitin 2005. Ai u lirua, por publiciteti dhe gjyqi e lanë atë zemërthyer. Pasi u transferua nga njëri qytet në tjetrin, ai u vendos në Las Vegas në një shtëpi gjigante, të cilën e urrente.

Truprojat e tij thonë se janë të bindur se shefi i tyre nuk ka qenë kurrë një pedofil dhe pohojnë se ai kishte lidhje sekrete me dy gra.

Javon thotë se, “Xhekson ishte i shkatërruar nga akuzat për abuzim seksual. Unë jam vetë baba dhe nuk do të kisha punuar për të nëse do të më lindte ndonjë dyshim. Ai nuk mund të vriste as një mizë”.

Sjelljet e çuditshme dhe paranoja

“Ai ishte vërtet i çuditshëm”, thotë Bill, një ish-polic dhe veteran i sigurisë. “Ai shkonte në dyqan dhe blinte gjithçka. Kur shkonim në hotele, ai blinte qindra libra. Njëherë, ai bleu gjithë librarinë”.

Majkëll udhëtonte me një çantë argjendi, ku mbante dy çmimet Oskar të fituar nga filmi klasik “Gone with the wind”, të cilat i kishte blerë më tepër për 1 milionë paund.

Pajisje përgjimi ishin instaluar kudo nëpër shtëpi, ashtu edhe butone alarmi dhe roje të armatosura që patrullonin zonën. Mirëpo, Majkëll ishte aq paranoid saqë shkonte derë më derë për të kontrolluar nëse ishin kyçuar.

Fëmijët

Truprojat thonë se, përveç çuditshmërisë së tij, Majkëlli ishte një baba i mirë përPrince, tani 17 vjeç, Paris, 16 vjeç dhe Blanket, 12 vjeç.

“Ne punonim për zotin Xhekson. Ne nuk punonim për Mbretin e Popit”, thotë Bill. “Ne e shihnim atë si një burrë dhe si një baba. Ishte bukur të shihje anën e babait tekai. Ai i ndihmonte fëmijët me detyrat e shtëpisë dhe sigurohej që ata po hanin mirë dhe pastaj i vinte ata në shtrat”.

Mirëpo, për tre fëmijët e Xhekson, realiteti dukej i mbushur me vetmi dhe trishtim. Babai i tyre i festonte ditëlindjet me kllounë, magjistarë, torta të mëdha dhe tullumbce. Mirëpo askush tjetër nuk vinte, përveç kujdestarit, dados dhe rojeve të tyre. Ata shkolloheshin në shtëpi dhe nuk kishin shokë.

“Fëmijët e tij nuk ishin në dijeni për sjelljen e tij të çuditshme në publik, pasi ata nuk kishin internet në shtëpi, për të parë mënyrën sesi portretizohej babai i tyre”, thotë Javon.

Lidhjet sekrete

Dy burrat deklarojnë se këngëtari kishte lidhje sekrete në vitet e fundit të jetës me dy gra, që u kishte vënë nofkën “Shoqja dhe Lulja” (Friend and Flower).

Ata shtojnë se ai e kishte marrë Friend-in, një brune të bukur me theks të Europës Lindore në një limuzinë për të parë Monumentin e Uashingtonit në kryeqytetin amerikan dhe qëndruan deri vonë në hotelin e saj. Në vizitat e mëvonshme, truprojat e ngisnin makinën me perde të mbyllura.

“Ata po kryenin marrëdhënie”, thotë njëri prej tyre. “Unë nuk doja t’i ndërprisja”.

Disa ditë pas largimit të Friend-it, arriti Flower. Ajo ishte bionde me quka dhe, ashtu si Friend-i, qëndroi në hotelin e saj. Por truprojat thonë se ajo ishte më ambicioze dhe Majkëlli nuk mund të qëndronte gjatë me të.

“Nuk mendoj se do fillonte diçka të qëndrueshme, pasi jeta e tij ishte shumë kaotike”, thotë Javon. “Momentet më të lumtura për të ishin kur ishte me fëmijët”.

Ndarja nga jeta

Majkëll Xhekson vdiq në vitin 2009 në shtëpinë e tij në Los Anxhelos në moshën 50-vjeçare nga një mbidozë me propofol anestezik . Truprojat ishin në Las Vegas duke u përgatitur për turin e Majkëllit, kur dëgjuan lajmet.

“Nuk e besova kur e dëgjova në lajme”, tha Billi. “U mpiva. M’u duk sikur gjithçka ndaloi dhe mendova për fëmijët e tij”.

Ai vijon: “Kur shkova në funeral pashë një sërë vipash dhe kjo më zemëroi. Nuk i kisha parë më parë. Ata thanë se ishin miq të tij, por në dy vite e gjysmë që unë kam qenë me të, nuk kam dëgjuar gjë për këta njerëz".

Truprojat e Xhekson kanë kontaktuar rregullisht me fëmijët e shefit të tyre pas vdekjes. Tani, ata kanë shkruar një libër për kohën e tij si Mbreti i Popit, ku e përshkruajnë jetën e tij si jeta e një njeriu të trishtuar dhe të vetmuar, që jetoi për fëmijët e tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.