Leonarda po mendon të kthehet në Francë

Nëna iu sëmur dhe tërë natën nuk bëri gjumë, pasi Leonarda i tha asaj që po mendon seriozisht të pranojë ofertën e presidentit të Francës, François Hollande, që të kthehet atje për të vazhduar studimet. Në vendin ku banon në Mitrovicë, lagja “Tavnik”, pas deportimit të dhunshëm nga Franca, Leonarda Dibrani thotë të jetë nën presion të vazhdueshëm, por heziton të thotë se nga kush.
Pesëmbëdhjetëvjeçarja në prani të nënës së saj thotë se e ka vështirë të vendosë nëse do të kthehet vetëm apo jo në Francë, ashtu siç i ka premtuar kryetari francez se mundet, por vetëm nëse kthehet vetëm, e jo me nëntë anëtarët tjerë të familjes. Gjatë një vizite të bërë familjes Dibrani, të mërkurën, në vendbanimin e tyre të ri ku jetojnë prej se janë kthyer nga Franca më 9 tetor, zonja e shtëpisë Xhemile Dibrani, thotë se nuk ka kushte për jetesë.
Ankohet se s’po ka rrymë e ujë tërë kohën dhe se nuk po merr ndihma. “Në Kosovë s’kemi siguri. I kemi kërkuar fqinjit dje pak dru që të ndezim shporetin! Pastaj më vonë është ndalur rryma. Dhe, kjo na ka frikësuar shumë”, shprehet Xhemilja.
Familja Dibrani mori vëmendjen e mediave franceze, pasi policia e ndaloi vajzën e tyre, Leonardën, gjatë një ekskursioni me shkollën, në prani të shokëve të klasës. Arrestimi i saj shkaktoi trazira politike në Paris, kurse bashkëmoshatarët e saj protestuan për ditë të tëra. Vetë presidenti i Francës, François Hollande, u përfshi në këtë çështje dhe i ofroi vajzës kthim në Francë për të vazhduar shkollimin, por me një kusht - që familja e saj të mbetet në Kosovë. a.n.
Comments
Une kisha pershtypjen se te
<p>Une kisha pershtypjen se te gjitha gocat e ktij lloji i quanin Esmeralda.....</p>
Add new comment