Legalizimet, Rama: S’ka më zvarritje, nga 1 marsi ekipet kanë dalë në terren

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim të zgjeruar me drejtues e përfaqësues të ministrive dhe Agjencive të lidhura drejtpërsëdrejti me procesin e legalizimeve. Gjatë takimit është vlerësuar ecuria e deritanishme e legalizimeve. Kryeministri evidentoi se problematika e deridjeshme e shkaktuar nga mungesa e koordinimit midis institucioneve dhe mungesa e vëmendjes së shumë institucioneve për t’u përfshirë në proces, ka sjellë penalizimin e qytetarëve. Ndaj, kryeministri ka kërkuar koordinimin e institucioneve me qëllim që të mos ketë më zvarritje të procesit.
“Nga tetori i vitit të kaluar deri në prill të këtij viti në sportelet e ALUIZNI-t janë paraqitur 41.400 qytetarë, për të kërkuar sqarime për dosjet e tyre, për t’u ankuar për zvarritjet e deritanishme dhe për të plotësuar dokumentacionin e mangët, kur dokumentacioni ka qenë i mangët. Një lum i tërë njerëzish që prej vitesh kanë pritur më kot që të legalizojnë shtëpitë e tyre” është shprehur Rama. Nga 1 marsi 2014 ka filluar dalja në terren e ekipeve që do të përfundojnë përgatitjet e dosjeve. Vetëm në këta 3 muaj janë kryer 11 300 procedura të reja” tha Rama. Më pas, kryeministri është ndalur në rëndësinë e secilit prej institucioneve, në mënyrë të veçantë, ku përveç rolit primar të ALUIZNI-t, theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të kësaj Agjencie me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si tre institucione, që janë bërthamë e këtij procesi dhe që prej disa kohësh kanë një ndërveprim të garantuar mes tyre.
n.k
Add new comment