Kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi kërkon heqjen e barrikadës mbi urën e Ibrit. Tahiri: Çështjen do ta shtrojmë në Bruksel

Ministrja Edita Tahiri bën të ditur se në takimin e 9 shkurtit në Bruksel, do të kërkohet heqja e barrikadës mbi urën e Ibrit në Mitrovicë. Përveç kësaj, në takimin e së hënës mes kryeministrave Mustafa dhe Vuçiç, do të bisedohet edhe për formimin e Gjykatës Themelore në veri të vendit, kodin telefonik etj, ka thënë Tahiri. Në një deklarim për gazetën “Zëri”, Tahiri ka folur edhe për pengesat që i kanë qytetarët e Kosovës dhe Serbisë në lëvizjen e lirë, për shkak të policave të shtrenjta kufitare. Ndërsa, sa i përket asaj se sa ka gjasë të refuzohen marrëveshjet në këto bisedime, Tahiri ka treguar se qëndrimet kanë qenë të përafruara në pranverë, mirëpo ka qenë Serbia ajo që ka qenë e interesuar ta shtyjë këtë proces. “Disa herë kemi kërkuar që të përfundojmë planin për zbatim sepse ky plan është më tepër i karakterit teknik. Pra nuk është varur nga niveli i takimeve të kryeministrave, po nuk kemi gjetur gatishmëri nga pala serbe, kështu që as Bashkimi Evropian nuk ka mundur t’i bëjë më shumë presion Serbisë dhe është vonuar deri këtu”, ka thënë kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi.
l.v
Add new comment