Kriza, ekonomisti i njohur Piketty: “Me Eurozonën krijuam një përbindësh. Me Greqinë, Europa harroi sesi u veprua 1945”

Thomas Piketty, ekonomisti i njohur francez ka bërë disa vlerësime shumë kritike ndaj politikave europiane ndaj Greqisë. Në një intervistë për gjermanen “Der Spiegel”, Piketty vëren se politika aktuale vuan nga një amnezi me pasoja të rënda, përderisa ajo injoron rastin e Francës dhe Gjermanisë në vitin 1945, të cilat siç nënvizon ai “asnjëherë nuk i paguan borxhet e veta plotësisht”. Europa ka dështuar me menaxhimin e krizës, pasojat e së cilës po ndihen shumë për shkak edhe të problemeve të trashëguara. “Në europianët, të organizuar keq siç jemi, i kemi përdorur instrumentet tona të papenetrueshme politike për të kthyer krizën financiare, që filloi në SHBA, në një krizë borxhesh. Kjo është kthyer tragjikisht në një krizë besimi në Europë”, thotë Piketty. Mungesa e harmonizimit fiskal në Europë, sipas tij solli thyerjet e mëdha: “Duke krijuar Eurozonën, ne kemi krijuar një përbindësh”, shton ekonomisti francez, që bën thirrje që politika të adresojë problemet e brezit të ri të europianëve. I pyetur direkt nëse “të tjerët duhet të paguajnë tashmë për keqmenaxhimin e qeverive të Athinës”, ai thotë: “Është koha që ne të mendojmë për brezin e ri të europianëve. Për shumë prej tyre, është jashtëzakonisht e vështirë të gjendet një punë. Mos duhet t’u themi: “Na vjen keq, por prindërit dhe gjyshërit tuaj janë arsyeja që ju nuk mund të gjeni një punë...”. Me idenë se vetëm rritja ekonomike mund të lejojë pagesën e borxhit, Piketty ka si sugjerime për Europën, bashkimin fiskal dhe harmonizimin e buxheteve. Në një plan më afatgjatë, ai vë theksin te arsimi dhe përqendrimi në kërkimin dhe inovacionin: “Nuk është normale që 90% e universiteteve më të mira të botës janë në SHBA. Mendjet tona më të mira shkojnë në ShBA...”, sjell ai një të dhënë që flet shumë.
http://www.spiegel.de/international/europe/thomas-piketty-in...
Add new comment