KQZ dhe zgjedhjet lokale, në krye mbetet Lefteri Luzi. Por mazhoranca kërkon shumicën

Duket se mazhoranca ka hequr dorë nga zëvendësimi i Kryetares aktuale të KQZ. Në këtë mënyrë, Lefterie Luzi do të drejtojë edhe zgjedhjet vendore të 2015-s dhe me shumë gjasa do të përfundojë mandatin e saj të plotë. Por fillimi i sesionit të ri parlamentar do të shënojë edhe rregullimin e situatës kaotike, ku KQZ prej prillit të 2013-s funksionon vetëm me 4 anëtarë.
Gjithsesi mazhoranca është e vendosur të marrë shumicën në këtë institucion. Një prej rrugëve për të marrë 4 anëtarët e KQZ-së është që të zhbëhet vendimi i parlamentit për shkarkimin e Ilirjan Muhos si anëtar i këtij institucioni, pasi për shumicën aktuale, ky vendim i marrë nga legjislativi në prillin e 2013-s është i paligjshëm. Me zëvendësimin e Klement Zgurit me Ilirjan Muhon në KQZ, PS plotëson dy vendet vakante të krijuara nga dorëheqja e Denar Bibës dhe Albana Shtyllës, ndërsa ende nuk dihet nëse anëtari i tretë do t’i jepet partisë së Vangjel Dules apo aleatit tjetër të socialistëve, Mark Frrokut.
a.k
Add new comment