Kompanitë ndërtuese të lejeve false të Gjikës, lidhje me bashkinë

Panorama e sotme njofton se dy kompanitë e ndërtimit që kanë përfituar nga vendimet false që dyshohet se janë lëshuar nga kryebashkiaku Shpëtim Gjika, kanë pasur lidhje me Bashkinë e Vlorës. Sipas Prokurorisë, pallati 2-6 kate + papagingo, me një kat nëntokë, në lagjen “Pavarësia”, ka pasur subjekt ndërtues EN-BJO sh.p.k, me përfaqësues ligjor të pandehurin Gentian Sherifaj, njëherësh drejtor në Drejtorinë e Infrastrukturës dhe Zbatimit të Projekteve në Bashkinë e Vlorës. Ndërsa punonte në Bashki, ai ka qenë edhe përfaqësues ligjor i kompanisë së ndërtimit, që ka përfituar lejen false të datës 24 mars 2010 mbi të cilën është ngritur pallati. Edhe kompania tjetër, e cila ka përfituar lejen false për ndërtimin e pallatit 13-katësh, ka pasur lidhje me PS-në e Vlorës dhe me Bashkinë e këtij qyteti. Leja e dytë false bën fjalë për miratimin në lagjen “29 Nëntori”, të sheshit të ndërtimit dhe të lejes së ndërtimit për kompleks banimi dhe shërbimi 13-kate me parkim nëntokë ku subjekti ndërtues “Deco System” sh.p.k, kishte përfaqësues ligjor të pandehurin Blerdi Liçaj, 34 vjeçar, kandidat për kryetar i komunës Qendër në zgjedhjet vendore 2011. Liçaj kandidoi i mbështetur nga Partia Socialiste përballë kandidatit të PD-së, Fredi Berberi, por e humbi garën.
a.k
Add new comment