Kokaina, dy kolumbianët e arrestuar zbulojnë se një tjetër kolumbian, rezident në Holandë, i ka sjellë në Shqipëri

Dy kolumbianët e arrestuar në laboratorin e kokainës në Elbasan, Cesar Avila dhe Valther Moreno, kanë dhënë dje dëshminë e tyre para gjykatës. Ata kanë zbuluar se në lojë është edhe një kolumbian tjetër, me qëndrim në Holandë, i cili me gjasë është larguar nga Shqipëria. “Në qytetin Bogota të Kolumbisë jemi njohur me një person, që quhej Karlos, me origjinë nga Kolumbia, por me nënshtetësi holandeze. Ai e fliste mirë spanjishten dhe ofroi punë në Greqi. Gjatë gjithë kohës, ishim të shoqëruar nga Karlosi dhe pas ardhjes në Greqi na tregoi se do të punonim në Shqipëri. Na tha se ishte punë e ligjshme”, thanë kolumbianët, cituar nga gazeta “Shqip”. Pretendimi për punë të ligjshme vihet në dyshim kur zbardhet itinerari i lëvizjes në shoqërinë e Karlosit: nga Bogota në Lisbonë, më pas në Romë, Athinë e Janinë, nga ku me autobusin e linjës kishin ardhur në Gjirokastër.
s.z
Add new comment