Intervista/ Sokol Hidërsha: Rikthimin tim në Opera ia dedikoj engjëllit me emrin “Lisar”

Postuar në 20 Shtator, 2014 02:01

Doktori Grenvil vjen me zërin e tij magjiplotë. Ndërsa “La Traviata”-s shqiptare, në këtë sezon i shtohet dhe emri i një baritoni që prej kohësh nuk këndonte. Në Teatrin Kombëtar të Operës vendi i tij kishte mbetur bosh për një kohë të gjatë. Ndërsa në skenë personazhet për zërin e tij enkas, interpretoheshin nga të tjerë solistë, sigurisht. Ai ka qenë gjithmonë i dashuruar me skenën, i marrosur pas saj ndoshta. Por “divorci” i përkohshëm e kishte një shkak madhor, të dhimbshëm e tragjik sa nuk rrëfehet dot. Në familjen e tij të vogël, dikush do të largohej përgjithmonë. Në engjëll do të kthehej, për t’i treguar prej atij çasti të pakthyeshëm, rrugën e mëpastajme. Është pikërisht ai, Lisari, që prej qiellit tanimë e ndjek në çdo hap që hedh, e mbron dhe i jep një fuqi të pakrahasueshme. Falë tij ai e mundi dhimbjen, atë dhimbje që ca kohë më parë ia kishte dhënë me tepri. Por nëse e ndjen pranë kur ngrihet në mëngjes dhe kohën kronometron me sekonda, kur bie të flejë me idenë se do të takohen për të bërë një bisedë burrash, dhe vetë vdekja nuk merr më asnjë kuptim. Tanimë ai ndihet si fenikasi i rilindur. I etur për jetën dhe fort i motivuar njëkohësisht. U ngjit në skenë dhe këndoi për ta pastruar nga ndryshku zërin brilant. “La Traviata” është njëra nga sfidat. Të tjerat janë aty në radhë njëra pas tjetrës deri në pambarim...

 

...Sokol Hidërsha, bariton në Teatrin e Operës dhe pedagog në Akademinë e Arteve është “Doktor Grenvil”. Në 22 shtator ai do të dalë për publikun, së bashku me pjesën tjetër të trupës. “La Traviata” do të vazhdojë të këndohet në Teatrin e kryeqytetit, dhe kjo nuk përbën më ndonjë lajm të veçantë. E ndërsa e pyes, baritoni i njohur i teatrit shpjegon thjeshtësisht se “La Traviata” është një opera e Xhiuzepe Verdit, me libret nga Françesko Maria Piave, bazuar në romanin “Zonja me Kamelie” e Aleksandër Dyma-s, të birit. Vetëm kështu vijnë në Tiranën e vitit 2014 detaje nga jeta mondane, dashuritë, mllefet dhe intrigat e salloneve të aristokracisë Parisiane të fundshekullit të 19-të. Dy protagonistët Violeta dhe Alfredo janë po ata të vjetrit. Por vepra mbetet gjithmonë e re.  Dhe kaq... se duhet zënë vendi në plate për të parë vazhdimin.

 

ResPublica: - Pas një mungese relativisht të gjatë ju riktheheni dukshëm në TKOB, me një rol nga opera “Traviata”. Kujt ia dedikoni këtë kthim?

Sokol Hidersha: - Po është e vërtetë që pas një pauze prej 3 vjetësh rikthehem me një rol disi modest tek opera “Traviata” në rolin e Doktorit Grenvill. Dhe kur i largohesh skenës bëhesh si i huaj për të! Duhet pak kohë që t’i dhurosh dhe të të dhurojë atë dashuri dhe kënaqësinë që të jep spektatori. Këtë rikthim ia dedikoj engjëllit tim Lisar që nuk e kam më, por e ndjej që më jep forcën dhe dashurinë për punën dhe atje lart ku është. Ai është shtytja për këtë rikthim ku, çdo rol do që kërkoj të krijoj, duhet ta realizoj si diçka të veçantë. Kjo vlen për cilindo personazh që interpretoj, sado i vogël qoftë roli!

 

ResPublica: - Keni marrë rolin e doktorit, cila është vështirësia teknike dhe a është i denjë ky rol për një bariton si ju?

Sokol Hidersha: - Roli i doktorit është shumë i bukur por veçanërisht dhe tepër skenik në finesën e një njeriu aristokrat dhe shumë të sjellshëm. Kjo vjen nëpërmjet emocioneve në skenat e ndryshme që përmbajnë aktet nga njëra-tjetra. Nuk është se ka ndonjë vështirësi vokale. Doktori është thjesht një personazh që gjendet në kohën dhe vendin e duhur.

 

ResPublica: - Cila është atmosfera në TKOB për vënien e kësaj vepre?

Sokol Hidersha: - Atmosfera për të filluar këtë sezon përkon dhe me atë të ardhjes së Papës në Tiranë. Pra, një atmosferë ku të gjithë punojnë me përkushtim për rolet dhe si të bëhet më e mira në marrëdhënien me personazhet. Kaluam një periudhë të vështirë në fundsezonin e kaluar, ku si gjithkush kërkon të drejtat e veta në marrëdhënie me punën. Tani jemi një komb që i përkasim bashkësisë evropiane dhe të drejtat e artisteve do të jenë konform me rregullat që kanë të gjithë artistët brenda kësaj bashkësie. Përfaqësojmë botën në disa evenimente ndërkombëtare dhe kur bota i vlerëson artistët shqiptarë dhe i stimulon, ne duhet të bëjmë dyfishin sepse kemi një Universitet Artesh që përherë nxjerr vlera të shkolluarish dhe pa një menaxhim të tyre gjithçka kthehet në një stok vlerash.

 

ResPublica: - Cilët janë partnerët e tjerë që interpretojnë përkrah jush tek “Traviata”?

Sokol Hidersha: - Partneret janë vlera e kësaj opere, ato që shpirtin e kthejnë në art nëpërmjet zërit të tyre. Eva Golemi është njëra prej tyre ku është e disata herë që unë interpretoj me të. Këto janë vlerat e një Teatri Opere, ku modestia e artistëve është shumë bujare me ato çka janë të kthyera në atë vlerë monetare në gjuhën ekonomike. Por kam një kënaqësi të veçantë të interpretoj me mbesën e profesorit tim Ramiz Kovaçit, Ramona Tullumani. Një vokal që sa herë që e dëgjoj krijon një diapazon më të gjerë si në interpretimin e rolit edhe në fuqinë vokale interpretative. Ylber Gjini është një tjetër personazh që sa herë e dëgjoj, më jep më tepër inkurajim për të vazhduar dhe studiuar më tepër role, se gjithmonë duhet të jemi në gjendje pune. Se ky është një profesion që po e le të lë. Pra jemi një staf ku secili ka vlerat e tij, pavarësisht nëse është rol i parë apo i dytë.

 

ResPublica: - Pas Traviatës, cili është plani juaj më i afërt?

Sokol Hidersha: - Pas rolit të Doktorit Grenvil them të përgatis Shonarin nga opera “Bohem”. Megjithëse, të them të drejtën është pak vonë, sepse premiera do të jetë në fund të nëntorit dhe si çdo vepër do që të piqet mirë vokalisht, por dhe duhet që të jem i sigurt në mbajtjen mend të fjalëve. Pra vështirësitë e një roli nuk kanë të mbaruar për një këngëtar ku skena të jep emocion. Por nuk dihet se si vijnë ndonjëherë këto emocione, për mirë apo për keq. Sepse pak i infektuar të jetë fyti, meqenëse stina ftohet, stresi dhe emocioni bëhet më i madh. Por gjithmonë artisti që është mësuar me skenën e gjen mënyrën si ta kalojë këtë ngarkesë emotive. Kënaqësia në interpretimin e një roli, shpirtëzohet me dashurinë që i jep ti vokalit dhe frazës muzikore në interpretim. Pra duhet të jetosh me rolin.

 

Leonard Veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.