"A i kanë ata këto para?"

VOA: Oferta ishte rreth 1,1 miliard dollarë ose 850 milion euro. Dhe ata duhet t’ia paguajnë këtë në cash qeverisë shqiptare në mbarim të negociatave. A i kanë ata këto para?
D. Farber: Çdo gjë që kemi parë deri tani na jep të kuptojmë se ky nuk do të jetë problem. Por çështja këtu është se si kanë ndërmend ata ta financojnë këtë marrëveshje, pra nëse i kanë paratë në dorë, apo do t’i marrin hua. Kjo varet krejtësisht prej tyre.
VOA: Nga ajo që dini ju, a i kanë ata paratë në banka dhe do t’ia transferojnë qeverisë shqiptare? Apo do t’i sigurojnë me hua? Sepse këtu ka dy zgjidhje, ose i kanë paratë, ose do t’i sigurojnë diku? Pra nga do të vijnë 850 milion eurot?
D. Farber: Si konsulent i ministrisë, nuk dua të shpreh hamendje se çfarë synimesh ka konsorciumi. Nuk e di, sepse është punë e tyre se si do të vendosin, se si do ta financojnë marrëveshjen: pra, nëse do t’i marrin paratë borxh, do t’i gjejnë paratë në ndonjë mënyrë tjetër, apo do t’i marrin nga llogaria e tyre bankare. Kjo do të varet nga konsorciumi dhe nuk është çështje e ministrisë.
VOA: Por ju si konsulent i ministrisë duhet të jeni në gjendje të thoni se ata janë të aftë t’i gjejnë paratë, bazuar në atë që ju keni parë, apo jo?
D. Farber: Mos harroni se procesi funksionon kështu: për t’u kualifikuar për të bërë një ofertë, jo vetëm për Vetron por edhe për të tjerët, duhet të depozitosh një garanci në formë parash. Qëllimi i këtyre parave është pikërisht ky, që të mund të kemi firma serioze në tryezë, pra jo firma që thjesht thonë se janë në gjendje të paguajnë e që në fakt nuk janë. Me shpalljen e konsorciumit si fitues, që u bë javën e kaluar, kërkesa për këtë garanci dyfishohet dhe bëhet 20 përqind. Këtu flitet për shumë para...
VOA: Pra, rreth 200 milion dollarë, që duhet të depozitohen në një bankë...
D. Farber: Fjala tani është 170 milion euro, pra 20 përqind, që do të ofrohen nga një bankë si garanci e pakthyeshme, që ne mund t’i kërkojmë në çdo kohë për të mbështetur realizimin e procesit. Ne besojmë se kjo do të ndodhë shpejt, përndryshe procesi nuk do të shkojë përpara...
VOA: Pra, nëse negociatat nuk realizohen, konsorciumi humbet 170 milion euro. Por si mund t’i humbasë ai kur nuk i ka këto para?
D. Farber: Këtu është edhe i gjithë qëllimi që banka vendos një garanci të pakthyeshme. Pjesë e procesit është garantimi që hollësitë e ofertave të mbahen konfidenciale dhe ne e respektojmë këtë. Ajo që ne dimë është se kjo duhet të jetë një garanci e parevokueshme nga një bankë e madhe dhe këtë presim.
VOA: Sa pritet të zgjasin negociatat?
D. Farber: Ne ende nuk i kemi datat e sakta por sigurisht ne dëshirojmë që ato të fillojnë menjëherë. Varet se kur do ta njoftojë këtë konsorciumi dhe me ta njoftuar negociatat do të fillojnë.
Pjesa e mësipërme është shkëputur nga një intervistë e gazetarit Arben Xhixho në VOA Neës me avokatin David Farber, lidhur me procesin e privatizimit të Albpetrolit. Firma fituese e tenderimit, koncorsiumi Vetro Energy, ka ofruar 850 milionë Euro për blerjen e Albpetrolit. Kjo firmë duhet të depozitojë tani në formë të pakthyeshme, 20 për qind të vleftës për të filluar negociatat me qeverinë shqiptare. Në këtë proces qeveria shqiptare ka marrë si këshilltar ligjor firmën amerikane Patton Boggs, avokati i së cilës jep përgjigjet e mësipërme pikërisht për pjesën më delikate të procesit: paratë.
Intervista e plotë dhe video: http://www.zeriamerikes.com/content/voa-david-farber-albpetr...
Foto: Pamje nga zhvillimi i tenderit për shitjen e kompanisë Albpetrol
Add new comment