Houellebecq, Eco e Ala al-Aswani flasin pas masakrave të terrorizmit në Francë

Në kopertinën e numrit të fundit të së përjavshmes satirike ‘Charlie Hebdo’ jepet karikatura e shkrimtarit francez Michel Houellebecq, me cigaren e përjetshme në buzë e me një kapele cilindër. Dhe si tituj redaksia, apo karikaturisti Luz në emër të saj, ka vënë dy pohime putative e ironike të tij: 1. Në vitin 2015 do të mbetem pa dhëmbë; 2. Në vitin 2022 do të mbaj ramazan.
Michel Houellebecq, që për shumëkënd është shkrimtari më i mirë francez e këtyre kohëve, sapo ka publikuar një roman me titull “Nënshtrimi”, ku flet me shqetësim për një Francë hipotetike të vitit 2022, në të cilën Islami do të ketë triumfuar, president i Republikës do të jetë një fare Mohammed Ben Abbes e poligamia do të jetë bërë një normë jetese. Libri ka dalë pikërisht në kohën, kur terroristët do të kryenin masakrën në redaksinë e gazetës ‘Charlie Hebdo’, ku mbeti i vrarë dhe një mik i tij, shkrimi i fundit i të cilit fliste për librin më të ri të shkrimtarit. Houellebecq, për shkak të librit, është tanimë me eskortë kudo që shkon.
Libri ka tërhequr menjëherë vëmendjen e të gjithëve, edhe jashtë Fancës. Umberto Eco nuk flet për librin, pasi ende s’e ka lexuar (“nuk dua të bëj si ata që komentojnë librat, përfshirë dhe Kuranin, pa i lexuar”, thotë ai), por ai shprehet lidhur me atë që ka ndodhur: “Jemi tërësisht në luftë; ISIS-i është një formë e nazizmit, që kërkon të sundojë botën me masakra e me vullnetin e vet apokaliptik”.
E ka thënë të vetën edhe shkrimtari egjiptian Ala al-Aswani, shumë i suksesshëm në Europë: “Ata kriminelë janë të rrezikshëm për të gjithë, për francezët e për ne egjiptianët; liria e shprehjes nuk duhet të ketë kufij; as principet religjioze të një grupi të caktuar nuk ka pse të jenë si kufij të lirisë së shprehjes; por problemi nuk është islami; problemi është islami wahhabit, që është baza ideologjike e terrorizmit; xhamitë e perëndimit financohen nga wahhabitët, të cilët duhet thënë se më shumë urrejnë myslimanët liberalë e progresistë se sa të krishterët apo hebrenjtë”.
Re.Pu.
Add new comment