Historiani Fischer: “Vizita e Papa Françeskut, shenjë se Shqipëria është pranuar në komunitetin e kombeve”

“Gazeta Shqiptare” i ka marrë një intervistë historianit Bernd Fischer, ku ai komenton aktualitetin shqiptar.. Përfshirë edhe skandalin e Bankës së Shqipërisë. Më poshtë intervista:
Zhvillimet e fundit rreth Bankës së Shqipërisë mbeten kryefjala e ditës në Shqipëri. Si i keni perceptuar këto lajme të ardhura nga vendi që mori së fundmi statusin e vendit kandidat të Bashkimit Europian?
Këto janë ngjarje që fatkeqësisht ndodhin në të gjitha vendet, si të mëdhenj, ashtu edhe të vegjël. Do të ketë gjithmonë njerëz të pandershëm që besojnë se janë më inteligjentë se pjesa tjetër e njerëzve dhe kryejnë krime të guximshme. Pothuajse gjithmonë dështojnë. Besoj se ajo që është e rëndësishme këtu është se si menaxhohet situata. Mendoj se është e rëndësishme të mos reagohet më shumë se sa duhet. Një investigim i plotë duhet të realizohet dhe masat mbrojtëse të vendosen në vend, në mënyrë që të mos ndodhin më gjëra të tilla. Ardian Fullani, si guvernator i bankës, është në fund të fundit përgjegjësi për atë që ndodh nën drejtimin e tij dhe ai duhet të ballafaqohet me pasojat. Besoj se kandidati më i mirë, nëse do të jetë shqiptar apo i huaj, duhet ta zëvendësojë atë. Në fund të fundit, nuk besoj se kjo çështje duhet lejuar të marrë energji nga procesi i ecjes së Shqipërisë përpara.
A do ta plotësonit kutinë e luftës kundër korrupsionit nga ana e qeverisë "Rama"? Nëse po, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në këtë aspekt?
E shikoj luftën kundër korrupsionit në kontekstin e një çështjeje më të gjerë - pikërisht çështjes së sundimit të ligjit. Besoj se qeveria 'Rama' është përgjegjëse për disa arritje të rëndësishme në këtë aspekt. Në veçanti do të nënvizoja situatën në Lazarat, e cila ishte një turp kombëtar për më shumë se një dekadë. Besoj se zgjidhja e shpejtë e kësaj çështjeje e shoqëruar me pak dhunë, bëri shumë që të sigurojë një votë pozitive në aspektin e statusit të vendit kandidat. Gjithashtu, besoj se lëvizja e kësaj qeverie kundrejt universiteteve private ishte e rëndësishme dhe pozitive në aspektin e luftës kundër korrupsionit dhe reputacionit të arsimit të lartë në Shqipëri. Qartazi, më shumë nevojitet të bëhet. Ndoshta sfida më e rëndësishme do të jetë reformimi i sistemit të drejtësisë, pa të cilën përpjekjet kundër korrupsionit dhe përpjekjet e përgjithshme për të përmirësuar sundimin e ligjit do të jenë zhgënjyese. Por jam optimist, siç ishte edhe raporti i Komisionit Europian qershorin e kaluar, i cili lëvdoi Ligjin e ri të Shërbimit Civil si dhe rritjen në numër të rasteve të korrupsionit të referuara prokurorisë nga Policia e Shtetit. Dhënia e statusit të vendit kandidat ishte një arritje e madhe dhe pjesërisht një votë besimi se qeveria po lëviz në drejtimin e duhur. Dhënia e statusit ishte gjithashtu një shprehje e pritshmërisë se do të ketë vëmendje të vazhdueshme ndaj përpjekjeve kundër korrupsionit.
A mendoni se gjërat kanë ndryshuar për mirë në Shqipëri nën drejtimin e qeverisë 'Rama'?
Shikoj progres të konsiderueshëm nën drejtimin e kryeministrit dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Ndërsa ka shumë çështje për t'u adresuar, kryeministri dhe qeveria po e çojnë Shqipërinë përpara. Z. Berisha është qartazi përgjegjës për shumë gjëra pozitive, por në vitet e fundit të qeverisjes së tij, Shqipëria
po ecte mbrapsht. Çdo indeks i rëndësishëm, sidomos raportet e OJQ-ve nga organizata si 'Freedom House' dhe 'Transparency International', treguan përkeqësim të konsiderueshëm nën drejtimin e Z. Berisha. Që kur Edi Rama ka marrë postin e kryeministrit, ka pasur një kthesë. "Freedom House" në
raportin "Nations in Transit 2014" e spostoi Shqipërinë në drejtimin pozitiv për herë të parë që nga 2006. Ama, edhe Partia Demokratike ka meritën e saj për këtë gjë, përderisa një pjesë e përmirësimit të rezultatit erdhi si rrjedhojë e kalimit paqësor të pushtetit në 2013. Në raportin e tij të 2014 për trafikimin, Departamenti Amerikan i Shtetit e renditi Shqipërinë në tier 2 dhe kjo është hera e parë që ndodh një gjë e tillë që nga 2008. Këto pozicionime ndërkombëtare nuk përmirësojnë domosdoshmërisht menjëherë jetën e shqiptarëve, gjë e cila duhet të jetë qëllimi i të gjitha qeverive, por këto pozicionime janë tregues të rëndësishëm, që sugjerojnë se ndryshimet bazë, të nevojshme për të gjithë për të përfituar, janë duke ardhur.
A jeni dakord me bojkotin e opozitës shqiptare? Si ju duket platforma e opozitës?
Marrëdhënia e helmuar midis partive kryesore mbetet një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë dhe derisa kjo çështje të zgjidhet, përparimi përgjithësisht do të jetë i ngadaltë. Shqipërisë ende i duhet të zhvillojë konceptin e "loyal opposition" (Opozitë besnike), që do të thotë se partitë mund të luftojnë kundra njëra-tjetrës gjatë zgjedhjeve, por më pas kur rezultatet kanë dalë, partitë bashkëpunojnë në të mirë të vendit. Demokracia nuk mund të funksionojë plotësisht pa pasur këtë parim në vend. Patjetër e kuptoj që ne, në Shtetet e Bashkuara, kemi gjithashtu disa probleme lidhur me këtë koncept, por po shpresoj se këto probleme këtu do të jenë kalimtare. Në Shqipëri, ky problem duket se është i natyrës strukturore dhe mund të tejkalohet vetëm me vullnet politik nga të gjitha palët. Kështu mendoj se bojkoti i Partisë Demokratike është joproduktiv dhe madje, shkatërrues. Z. Basha i qëndron mendimit se ai po bojkoton parlamentin për të mbrojtur demokracinë. Por mendoj se është shumë e vështirë të mbrosh demokracinë nëse nuk merr pjesë në të. Veprimet dhe deklaratat e Partisë Demokratike të japin përshtypjen se kjo parti i është dedikuar asgjëje veç dështimit të qeverisë. Kjo përqasje qartazi nuk është në interesin më të mirë të Shqipërisë dhe njerëzve të saj.
Papa Françesku do të vizitojë Shqipërinë më 21 shtator. Sipas jush, çfarë do të thotë kjo?
Vizita e Papës është një tregues tjetër se Shqipëria është pranuar në komunitetin e kombeve dhe se ajo po ecën në drejtimin e duhur. E shikoj Papa Françeskun si një figurë rilindjeje, taman si Z. Rama. Papa e ka bërë të qartë se vizita e tij është pjesërisht një festim i suksesit të Shqipërisë në zhvillimin e harmonisë fetare. Shqipëria është një model në këtë drejtim dhe meriton t'i njihet kjo arritje. Vizita e Papës do ta nxjerrë këtë arritje në qendër të vëmendjes.Mediat kanë raportuar së fundmi se shqiptarë nga Shqipëria dhe sidomos nga Kosova u janë bashkuar radhëve të ISIS. A mendoni se kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet e këtyre vendeve me NATO-n?
Problemi i të rinjve të konfuzuar, të cilët u janë bashkuar organizatave si ISIS është evident në të gjitha vendet e NATO-s dhe më tej. Janë rreth 15,000 të huaj nga 80 vende që janë përfshirë në luftime në Lindjen e Mesme. Përsa kohë qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës e kanë njohur këtë kërcënim dhe po punojnë për ta luftuar atë, nuk ka frikë se marrëdhëniet e tyre me NATO-n do të ndikohen negativisht në një farë mënyre. Ky është një problem i përbashkët, i cili kërkon një zgjidhje të përbashkët të koordinuar dhe mendoj se Shqipëria dhe Kosova do të jenë gjithmonë të afta të mbështeten te ndihma e NATO-s.
Add new comment