Hipoteza e një partie islamike shqiptare, Andi Bushati shkruan se “frika se këtu mund të lindë një lëvizje politike radikale është shumë e madhe”

Postuar në 10 Janar, 2015 09:46

Andi Bushati shkruan në “Lapsi.al” për hipotezën e një partie islamike në Shqipëri. Temë kjo që merr shkas nga ngjarjet në Paris, por që zgjerohet në shtjellimin e idesë së konvertimit të përkatësisë myslimane të shumicës së shqiptarëve, në një ide konkuruese përmes Islamit Politik. Tema është e rëndësishme, pasi partitë më baza fetare përherë i drejtohen moralit, jo thjesht për retorikë dhe propagandë, por si paradigmë veprimi. Dhe Bushati mendon se në kushtet ku është telendisur Shqipëria nga sallata e korrupsionit, të majtë, të djathtë, qendrës, një parti islamike, ka të paktën të siguruar kauzën. “Nëse një parti islamike radikale do të ekzistonte sot, ajo mund t’i bënte thirrje njerëzve të tuboheshin rreth saj, pasi këtu të gjitha partitë janë provuar (të gjitha janë njësoj), mbrojtëse të së njëjtës kastë që po shkatërron këtë vend... Duke u bazuar në besimin se të gjithë përpara zotit duhet të jenë të barabartë, ajo mund t' i bënte thirrje elektoratit të fshikullonte njësoj si Sali Berishën, që erdhi në pushtet duke premtuar se do të ndëshkonte ata që laheshin në vaska të florinjta, si Edi Ramën, që po mundohet të koptojë për vete klientelën që Berisha s’pati fuqi ta prekte (por përkundrazi ta pasurojë edhe më tepër) po ashtu edhe Ilir Metën që është bërë si transportuesi i mëkatit nga njëri pushtet tek tjetri. Lufta kundër pabarazisë galopante dhe përndezja e zemrës së qindra mijra të vobektëve do të ishte kali i saj i betejës”, shkruan Bushati që vijon me renditjen e premisave të suksesit, si heshtja mbi skandalet e njëpasnjëshme, lidhja me krimin, përdorimi i mësuesve për politikë, apo edhe kthimi i politikës së jashtme në një shtojcë leksikore, me fjalë të vetme “Po”, ndaj urdhrave të fuqve kryesore. Por ajo që shtron edhe pyetjen kryesore ndaj sistemit që aktualisht na peshon të gjithëve në kurriz, është aftësia e tij për t’u vetëkorrigjuar. Në rastin e Shqipërisë, Bushati, është pesimist: “Sistemi ynë i brishtë ende nuk ka dhënë prova se di të vetëpërsoset. Kapitalizmi po bëhet gjithnjë e më i egër. Diferencat gjithnjë e më të mëdha. Elita drejtuese (politika, biznesi, mediat, gjykatat) gjithnjë e më e distancuar nga problemet reale. Ndaj frika se këtu mund të lindë një lëvizje politike radikale është shumë më e madhe sesa në ato vende të cilat kanë filluar të shqetësohen realisht”.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.