"Hedhim në erë gjithçka, komisariate, shtylla tensioni, veç duam korrektesë në pagesa...”. Dëshmia shqetësuese e grupit të tritolit

“Unë së bashku me 3-4 shokë vendosim lëndë eksplozive me porosi. Eksplozivin e vendosim në makina, komisariate policie, shtylla tensioni, ku të jetë porosia por kjo bëhet kundrejt shpërblimit me para. Dhe pjesa e shpërblimit me para duhet të jetë korrekte. Por ka persona të tjerë që kanë porositur vendosje tritoli dhe më kanë sërish borxh 16 mijë euro”. Kështu ka folur Febjus Dauti në bisedat telefonike të përgjuara nga policia, një prej katër personave të arrestuar këtë të dielë, të cilëve iu zbuluan dhe sekuestruan 3 mina të telekomanduara me celularë. Kjo dëshmi doli në seancën e zhvilluar ditën e sotme me dyer të mbyllura, ku Gjykata mësohet se ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda duke u dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 31-vjeçarin Dauti, 30-vjeçarin Dashnor Dumani, 24-vjeçarin Asllan Plaku si dhe 31-vjeçarin Bledar Plaku.
Katër të rinjtë u arrestuan datën 18 në qytetin e Durrësit pasi u kapën me 3 lëndë eksplozive C4 me celularë. Prangosja e tyre u bë në kuadër të operacionit të koduar “Twix” të sektorit për Trafiqet dhe Narkotikët në Drejtorinë e Policisë së Durrësit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda, pas një pune 2 mujore. Kjo dëshmi mund të zbardhë zinxhirin e shpërthimeve në Fushë-Krujë kohët e fundit, por ndërkaq ngre një shqetësim tejet serioz: Ekzistencën e grupeve të tilla “profesioniste” dhe “teknike” që bëjnë gjithçka kundrejt pagesës. Fakti që kreu i grupit liston objekte si komisariatet apo shtyllat e tensionit, lë të kuptohet se në këto raste mund të bëhet fjalë për “porosi politike”.
a.k
Add new comment